Archive for Maj, 2007

Profesori

Maj 25, 2007

Përparim Hysi 1999-2007

(mësuesëve të mi në ish-Normalen e Elbasanit)

Unë s’e arrita profesorin për ë cilin duhet t’ju rrëfej, por ia vlen të shkruash për të. Kur unë qeshë nxënës në atë shkollë, në mes të viteve ‘50-të, profesori i nderuar kishte dalë në pension. Sidoqoftë, ngjarja për të cilën do t’ju tregoj, e lartëson atë. Dhe jo vetëm atë! Se ai ishte vetëm njëri nga ata mëSues aq të nderuar që, veç formimit të lartë kulturor, rrezatonin disiplinë, egzigjencë dhe, sa për tundim, thyerje nga ndjenjat sentimentale, as që i njihnin. Ishin sa të ashpër, aq dhe njerëzorë. Prej tyre nuk merrje vetëm dituri, por mësoje se si të rriteshe si njeri. Fomimi i tyre me kulturë perëndimore të vinte në ngasje dhe, doje s’doje, do ta hidhje”vallen” pas muzikës së tyre që, gjithësesi, qe një”muzikë” , me të vërtetë, e bukur.

Në po e lë pa emër profesorin, e kam bërë enkas. Për arsye subjektive dhe objektive. Por, pavarësisht kuturisjes sime, them që ia vlen që ta njihni dhe ju se çfarë ka bërë ai. Them ia vlen se-dhe kjo më shtyti të shkruaj- shihni se ç’ndodh me shkollën në Shqipëri dhe me arsimin në përgjithësi. Kur pashë që sado që ministria, për provimet, mobilizoi, gjasme mësuesët më të zgjedhur në Shqipëri, dhe, edhe me këta të zgjedhurit”ena eprovimeve” rrodhi, se pati nga këta të”zgjedhur” që u shitën badjava, atëherë m’u kujtua ky, profesori, dhe jo vetëm ky. Pra, figura e mësuesit është përçudnuar dhe, thuajëse, e ka humbur vlerën. Unë kam punuar si mësues për 41-vjet dhe këtë “degradim” të figurës së mësuesit e përjetoj me keqardhje. Dhe them me plot gojën: -Jo. S’kanë qenë të tillë mësuesët. Ata kanë patur dinjitet dhe, nëse ky dinjitet i tyre u përdhos, shkaqet të çojnë larg. Larg e lart! Jo larg e lart për tek Zoti, por larg e lart tek qeveria. Tek shteti! Ky, pra, shteti e denigroi figurën e mësuesit dhe e detyroi atë që të shitet për 5-aspra! Sidoqoftë, në mes asaj armate mësuesësh, ka prej tyre që jetojnë me shpirt në dhëmbë, por dinjitetin nuk e shesin.
* * *
Mirë pra! Profesori i tregimit tim kishte nxënëse, veç tjerash, edhe çupën e të vëllait. Kjo (e mbesa) ca se nuk e honepste dot lëndën e tij (jepte fizikën) , ca se këtë lëndë e kish me xhaxhanë, as që ish kthyer nga fizika. Shkurt: nuk mësonte. Profesori, gjithmonë, sa herë e kish ngritur e kish vlerësuar me notën dysh (vlerësimi si notë maksimale kish 5-ën) . Veç kësaj i kish tërhequr vëmendjen që të mësonte dhe mos kujtonte se ish e mbesa dhe do kish favore. I thosh ai, po çupa as e vinte ujtë në zjarr. Përfundimisht, e la për në vjeshtë dhe e porositi rrept. Në vjeshtë, kur pa, që cupa s’ish përgatitur, e la. -Do përsëritësh vitin, -i tha ai. E mbesa ia dha të qarit, se kurrë nuk e priste nga xhaxhai këtë mbetje në klasë. AsHtu, me lotë në sy, në vend të drejtohej nga shtëpia, e mbajti frymën nga Ura e Shkumbinit dhe, si la librin e fletoren mbi tokë, u vërvit në lumë. Atje janë gazermat e ushtrisë dhe një ushtar, tek ndjeu britmën për ndihmë (kontakti me ujët e kish kthielluar, siç duket) u hodh dhe e nxorri nga lumi. E çoi tek oficeri rojës dhe ky e shoqëroi për në Komandë të vendit (dega e mbrendshme më vonë) .

Komandati i vendit , një oficer me gradë të lartë, e mori në pyetje. Pasi e pyeti se pse i kish hyrë një aventure të tillë, vajza i tregoi shkakun dhe kur tha që profesori që e la, ishte as më shumë dhe as më pak, po xhaxhai i saj, u nxeh dhe dërgoi një polic që ta sillnin profesorin në fjalë urgjent aty. Shkoi polici, e gjeti dhe e futi tek zyra ekomandantit.

Komandanti: -E njeh këtë çupën? Profesori: -Si nuk e njoh? Kjo është çupa e tim vëllai? ! -Mbesa jote, ë? Pa pyete se çfarë ka bërë ajo? Prof. -Se çfarë ka bërë unë nuk e di, por di që e mora në provim, nuk kish mësuar dhe e lashë! ! ! -Po ti, mor profesor, nuk i vije dot një tresh? Sa për të kaluar klasën, se nuk do bëhej ndonjë qamet i madh? ! Prof: -Jo. JO. Unë nuk kualifikoj dot njerëz të paditur. Se, dëgjo komandant, po deshe të rrëzosh një vend nga themelet, kualifiko njerëz të paditur. Se i padituri mund të bëhet doktor dhe merr më qafë njerëzit; mund të bëhet ingjinier dhe rrëzon ndërtesat, urat etj. Por mund (këtu duket profesori u nxeh) të bëhet dhe oficer dhe shkatërron ushtrinë. Komandanti duket u shkund nga mendësitë e tij dhe hyri në ato të profesorit, ndaj i tha vajzës: -Profesori e ka mirë. Ky vit iku, mëso këtë vit që fillon.
Ja, të tillë ishin ata! Punonin jo vetëm me përkushtim, por rrezatonin në plotninë e tyre. Dhe, kur vinte puna, në mjedise argëtimesh me ne, ata tjetërsoheshin dhe bëheshin aq intimë, sa të dukej se kishe përpara miq të vjetër e shumë, shumë të dashur. Shkruaj me superlativa për ta, se kanë qenë modele të papërsëritshëm dhe, për secilin prej tyre, mund të shkruaj faqe e faqe të tëra.

Dhe si epilog. . .

Ju thosha që në fillim se kam qenë nxënës i asaj shkolle në mes viteve’50 dhe më sakt: maturant në vtin 1959. Mësuesët tanë qenë të gjithë të mrekullueshëm: që nga ata që na jepnin lëndët kryesore dhe deri tek ata që na jepnin shkathtësitë (vizatim, pundore, muzikë fizkulturë) . Dhe mbi atë ansambël mësuesësh të mrrekullueshëm, të arsimuar që të gjithë në perëndim, s’mund që të mos veçoj drejtorin e shkollës, Vasil Kamani, që qe jo vetëm një pedagog i madh, por dhe një drejtues që ka dhënë një kontribut të veçantë. Nuk është vendi këtu për të folur për të, po ky tregim do të ishte, pakësa, i mangut sikur mos shtoja diçka nga jeta ime në këtë shkollë.

Drejtori i shkollës kish një autoritet absolut para nxënësve, po se po, por dhe ndaj mësuesëve. Sado që numri i nxënësve ishte tejet i madh, nuk ma merr mendja që të kishte nxënës t’i shpëtonte vëzhgimit të tij. Se nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë e kalonte në shkollë apo në konvikt (ky ishte në të njëjtën ndërtesë me shkollë) . Duke ndjekur praktikën tonë pedagogjike, drejtori e kish pëlqyer punën time si praktikant (të më falin dhe lexuesët dhe bashkëshokët! Nuk vuaj nga kompleksi i Belul Gjeraqinës, por dua të jem sa më i sakt) dhe më thirri në drejtori, e më tha: -Hys (më thërriste në mbiemër) për gjithë shkurtin (1959) nuk do vesh në shkollë, se do bësh punën mësuesit në Ushtrimoren tonë se mësuese Manushaqja nuk do vijë në punë se është e sëmurë.

Kështu që unë u bëra mësues para kohe, por pa rrogë ama. Vetëm nuk shkoja në shkollë si maturantët e tjerë. Të them të drejtën-pse ta mohoj- sikur u përkëdhela në sedër nga ky vlerësim, se vlerësim ishte. Ndërsa shokët e mi bënin 6-orë mësim, unë bëja 4 dhe ndonjë ditë 5 orë. Mirë po kot nuk thonë se dardha e ka bishtin prapa. Dy ditë, pasi isha”bërë mësues”, puplat m’u bënë krahë dhe mend po fluturoja! Nuk flitej me mua! Vjen në orën 4 të mëngjesit kujdestari i konviktit që të na bënte zgjimin dhe për të dalë në gjimnastikën e mëngjesit. Ndërsa të tjerët u ngritën, unë, “mësuesi”, nuk u çova. -Çohu! -foli kujdestari. -Kush të çohet? Po unë jam mësues, s’e ke marrë vesh zotrote? -More për ç’mësues më flet? Do çohesh apo jo? -JO, nuk çohem. Do ikësh apo si e ke punën: Kaq ta mbësh dhëmbin, nuk çohem. Dhe nuk u çova. Kujdestari, priti sa vajti ora 7. 30 dhe frymën tek drejtori. Ai më thirri, më bëri për ujë të ftohtë dhe me autoritetin që i jepte rregullorja e shkollës, aty për aty, komunikoi para nxënësve: “Përparim Hysit i zbritet nota e sjelljes nga 5 në 4! “Unë, sa dëgjova këtë komunikim, u skuqa si kungull i pjekur në furrë dhe, në përlotje e sipër, para syve të drejtorit, u nisa për në klasën time, tek shokët. -Ku shkon? -më pyeti drejtori. -Në klasë, tek shokët, se tani nuk jam më mësues, se jam me notë të thyer në sjellje. -Jo, -ma preu ai, do shkosh të japësh mësim për tërë shkurtin dhe dëgjo: në konvikt të sillesh mirë se dhe mund të përjashtojmë fare. Dhe shkova. Sado me sjellje katër. Pra, si mësues me sjelljen katër, jam pak unikal: Ndoshta i vetmi. Po ku të falnin ata? Sa herë kujtoj këtë sjelljen time të thyer, më kujtohet Ladenaku tek “Viti ‘93″ i Hygoit. A nuk e dekoroi ai topçinë për heroiznin dhe për pakujdesinë e pushkatoi? Ja, të tillë ishin! Të jepnin aq sa meritoje. As më pak dhe as më shumë. Nderim dhe vetëm nderim për atë armatë aq të nderuar

Nga një qiri për secilin prej tyre se, mjerisht, shumica kanë ikur nga kjo botë. Sa për ata që janë ende gjallë, unë, sado që tani jam plakur vet, secilin prej tyre që do takoja, do t’ia puthja ato duarët e rreshkura që , njëherësh, sa fisnike janë aq dhe të dashura. Dhe njëherë, nderim. . .

Dërguar për”peshkupauje”më 25 maj 2007

Komente te bera tek peshku pa uje

1.
Flamuri Dori thotë:

27 Maj 2007 @ 1:08 am

Profesor ju rekomandoj të shihni këtë film:
http://www.imdb.com/title/tt0107474/
2.
Flamuri edrus thotë:

27 Maj 2007 @ 5:48 am

Ja pra qe paska patur njerez (dhe njerez me te vertete te larte) si profesoret qe s’punonin vetem per te mbyllur te tjeret ne KAFAZ (dhe ben mire Ypi qe t’i hedhe nje sy vete historise (ne kete rast, fjales se zotit Perparim) dhe jo te flase me ato qe ka degjuar… ne mitingje.
3.
Flamuri doriani thotë:

27 Maj 2007 @ 2:19 pm

egzigjence-jo shqip superlative-jo shqip.E bej me ndrojtjen qe me jep te korrigjuarit e nje kolegu,por per hir te asaj qe ti ke nenvizuar me keto kujtime me duhej ta thosha.
4.
Flamuri Pjer Thomas thotë:

27 Maj 2007 @ 5:14 pm

Vertet disiplina ne shkolla, athere ka qene e rrepte , pavarsisht se nuk na pelqente neve. Me mire disipline se sa rremuje/anarshi.
5.
Flamuri akull-naja thotë:

28 Maj 2007 @ 11:51 am

Profesor, tani e kuptoj tamam shprehjen “e beri per uje te ftohte”. 🙂 I lexoj gjithmone me shume kenaqesi shkrimet e tua; me kujtojne ato mbremjet pa drita kur gjyshi (dhe ai profesor dikur) tregonte te ngjara te vetat e te te tjereve…
Jave te mbare!
6.
Flamuri e.T thotë:

29 Maj 2007 @ 2:40 pm

tregimi i bukur Papi !
Ps: te kane gjetur thesarin 😀 http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=19501
7.
Flamuri ardi thotë:

29 Maj 2007 @ 3:10 pm

…tregimi, me verteton edhe njehere qe mesuesit e lendeve shkencore,nuk kane qene njerezor (te pakten ata qe kam njohur une ishin koncentrike)….
……..rruga qe zgjodhi prof seshte fare e drejte:….meqe e kishte mbese ai duhet te punonte me te jashte mesimit, ta mesonte, shpjegonte etj….vajza ishte e re dhe nuk mund te kishte llogjiken e nje te rrituri…ajo qe beri prof ishte gjeja me e lehte qe jo vetem une, por asnjeri sdo e bente per mbesen , ….
…..prandaj profesoret duhet te jene ne rradhe te pare njerez, pastaj shkenctare….e aq me keq nxenes….

..si tregim ishte i bukur
respekte
8.
Flamuri deni thotë:

30 Maj 2007 @ 11:48 am

Edhe mua me duket sjellje e ekzagjeruar. Eshte e veshtire te jesh njeri, gjithmone ka qene, dhe profesori zgjodhi me te lehten, pse fare mire mund te punonte, ta ndihmonte e motivonte ne nje menyre apo jo? Sa e sa nxenes gjimnazi jane shume te zgjuar por pa motivim per ate qe duhet te bejne? Shumica. Prandaj une e kuptoj qe profesori nuk te fal asnje gram me shume se’c meriton, por mund te beje qe te meritosh me shume apo jo
9.
Flamuri swed thotë:

30 Maj 2007 @ 12:06 pm

Pershedetje Papi, te kerkonin ketu http://www.emigrantipeshk.blogspot.com/
Hidhu nje vrap po qe se nuk e ke pare.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Advertisements

As me qepë dhe as me hudhëra!

Maj 15, 2007

Kujtimit të Bacë Hasan Makës

Kisha vjete pa shkuar tek Bacë Hasani. Dikur një gardh na ndante me shtëpinë e tij dhe s’kish gëzim apo davet pa qenë tek njëri-tjetri. Kur them kështu, e kam fjalën për prindërit e mi, se unë, pothuaj, isha pakësa më i madh se Qemali, djali i madh, i Bacës. E quaj Bacë, se, kur zhvillohen ngjarjet e këtij tregimit tim, Bacë Hasani i kish kaluar të tetëdhjetat. Dhe në kisha vjete pa u parë me të, kjo ndodhte se ne kishim mbi 30-vjet që ishim larguar që aty, kurse Baca mbeti atje dhe, siç e shihni, sapo e takoj. Po kur do të thoni? !
* * *
Ka qenë pranverë e vitit 1989 kur shkova atje, tek ajo shtëpia e Bacës mbi një kodër dominuese në fshatin Petovë të Fierit.
Është një kodër, disi më e ulët se ajo ku është ngritur manastiri i Ardenicës(objekt shumë i njohur për një masë lexuesish) . Në po e përmend këtë, manastirin, e bëj jo pa shkak: nga shtëpia e Bacë Hasanit për tek manastiri në fjalë, po të ecësh mirë, do rreth 40-minuta, kurse nga kjo shtëpi për në Fier do të paktën nja tri-katër orë. E, ç’ta zgjat? Shkova i përmalluar dhe po me mall më priti Baca. Shtriu duarët e tij të gjata drejt meje dhe, tek më përqafi, më shtrëngoi fort sikur me këtë do t’më shprehte gjithë dashurinë etij. Se më ka dashur vërtet. Jo vetëm se u rrita aty, si komshinj që qemë, po unë, veç të tjerave, sado që ne ikëm familjarisht nga Petova, punova për 25-vjet mësues aty, dhe, s’kish se si mos bëja vizita të pashershme në folenë e vjetër. Pra, shpesh shihesha me Bacën

Por isha transferuar edhe si mësues, dhe, siç kuptohet, ndaj dhe takimi i kësaj pranvere qe me mbresa. Më futi në dhomën e zjarrit, ku digjesh për qejf një zjarr që ta donte shpirti, në këtë pranverë, pakëz, si të ftohtë. Aty, mbasi u ula, Baca, gjithmomë i kujdeshëm dhe i shquar për mikpritjen, më ofroi dy jastëk të mbushur me lesh për t’u mbështetur më mirë. Sa bëmë ato pyetjet e zakonshme, për shëndetin, për familjen, Baca tak dhe më zgjati kutinë e duhanit dhe, kur pa mosaprovimin tim, më tha:

-More, jaran, apo nuk je rritur ti? Prandaj edhe s’na mësojnë fëmijtë në shkollë, -shtoi duke qeshur, – se mësuesi është i vogël.

Dhe pasi e drodhi për qejf të vetë, e vendosi mbi cigarishten e gjatë, një cigarishte prej sërmi me filograma argjendi mbi të ku pjesa që vihej në gojë, qe prej qelibari. Cigarishtja tregonte për një terjaqi duhani dhe, pasi e tithi, sikur do të ngopej, tak dhe hapi televizorin. Në ekran tregoheshin pamje nga demonstratat paqësore në Kosovë. I shikoje pamjet dhe nuk kishe si mos alarmoheshe. Shantazhi mbi këta pjesëmarrës aq paqësor qe jo vetëm i llahtarshëm, por dhe i përgjakshëm. Goditnin pa mëshirë njerëz të moshave të ndryshme: burra, gra, pleq dhe ca më keq: dhe fëmijë. Baca, ca se ishe prej atyre anëve(kish ardhur familjarisht vet i katërt vëlla, dy nipoj të rritur dhe me një tabor fëmijë) ca dhe se i përjetonte ato goditje që s’ishin së pari, gati shpërtheu:

-Po shkjau, shkja asht dhe kështu ka me kan! Përnjime: mos kujton se ndryshojnë. Jo, lum miku, dinjo Bacalinë ti këtu, more jaran. Ani-ani, po ky magypi(e kish fjalën për RRahman Morinën, në atë kohë i plqyeri i Beogradit për Kosovën) nuk ka çajre pa pague haraç! Se, shiko lum miku, ka ca njerëz që nuk hahen as me qepë dhe as me hudra! -E, bash, nji aj, Rrahaman gabeli( endryshoi për mllef) ka me epague. Se kurrë asaj Kosovës loke s’ia kanë munguar trimat. Po, hej, -shfyu përsëri, -pritna zot rrezikun! Përnjimend ka me dalë atje, dobare, ndonjë Isuf? ! -A ke ndie për Isufin, a? -JO, bacali!
Oh, -bëri. Gati u korita. Mirë pra, Isufi asht i ati i Lutfos. Dhe pa pritur miratimin tim për Lutfon(në të vërtetë Lutfon e njihja dhe ekisha takuar në shtëpinë e Bacës) vazhdoi: -Ka qenë ky Isufi, dy metro burrë! Me të ra plisi prej koke kur po i shti sytë. Po trim? Shok veten. Ka pas ken me Azem Galicën dhe kur Azemi ka dek, ky, Isufi, ka ran kaçak dhe bë tmerr për qeverin aso kohe. Aq tmerr qe ba, sa po kërkohej me flori koka e tij. Po zihej rjolli(shqipja) . Ai po pyjeve, shpellave, maleve dhe, sakaq, grabiste karvane dhe ç’mertte prej tyre, darovë për të vorfër. Familja po kish ra në Shqypni e aj, i vetëm, atje.
Një ditë -bajram paska ken- ka xan vend pas një qivuni të lartë tek vorrezat, veshur tebdil, dhe po pret. Dikush ka me ardh ndaj s’e hup durimin, aj. Kur ç’po sheh? Dy serb(njihehin nga veshjet që larg) janë tuj ardh dhe rruga për aty i bie. E, aj Isufi, tuj prit. Janë tuj avit dhe po etjerrin mirë bisedën. Ç’ka po dëgjon? Po i thotë njani tjetrit: -More Vuk sot asht dita ebajramit dhe bash aty tek varrezat po ua bëjmë nga një mut të madh këtyne kosovarëve. Mirë e ke mendue, -ia ka prit tjetni, që, ça di veta ça po qe qujmë: hajd ta zam: Zuk. E than, e bajn. Aiii? PO pse nuk u shtie, more Isuf? E, ndërsa ulen, Isufi hiç: as i gjallë dhe as i vdekur. Sa mbarojnë”punë”, lidhin pantollet dhe pasi lëshojnë nga një”T’u baj mirë”, bëhen gati me vazhdu rrugë. Kur tak si në hije, shfaqet me dy kobure në dorë, veshur tebdil, Isufi. Dhe, ndërsa afrohet drejt tyre, u thotë: -Jam Isufi I Lutfisë, more? Çfarë bëtë dhe thatë? Serbët, sa dëgjuan emrin, i zuri e zeza, ranë në gjunjë dhe i thanë: -Aman, na falë. -Çfarë thatë? _gjëmoi duke u afruar dhe më! U detyruan të tregojnë dhe Isufi: -Kthehuni dhe hajeni atë që keni ba! Ata: -Aman! -Hajeni se ju vrava! -gjëmoi frikshëm, aj.
Dhe u ulën, secli pjesën e vetë, kurse Isufi koburet rranx veshit. Mirëpo kishin dhjerë bajagi(mjaft) dhe s’mbarohej. Aty, si mbillet zakonisht për sevap në vorre, kish mbjellë do qep e hudra, dhe njani po i lutet Isufit: -A e marr një qepë? Dhe, kështu, me qepë e hudra e mbaruan atë që ban. E, kështu, lum Baca, njerëz si ai RRahmna Morina nuk hahen as me qepë dhe as me hudra. Po ka me dal, opet, (përsëri) ndonji Isuf apo shumë Isufa. Po jan shtu, more jaran, edhe këta që”s’hahem me qep e hudra”. Dhe qeshi. Ani, ani, -e mbylli tregimin, – ti ke me epa vetë, se je i ri se Kosova do ikë prej sërbit. Vane vath në vesh prej meje. E unë atëherë s’kam me kan, po ani, ta gëzojnë të rinjtë. Tek u mata që t’i thosha ndonjë fjalë inkurajuese, ma preu: -E i vetë i madhi Zot, por e shoh s’do e arrij dot. Por ta gëzoni bre dhe ti, si e këndue që je, thuje edhe nji fjalë për mue. I premtova duke u larguar dhe, siç e shihni, këtë po eshkruaj në kujtim të tij. Se, sado që e lashë gjallë(po shkonte 90-vjeç) , mora vesh që ka vdekur.

Ah, -them, -sikur të ishte gjallë edhe tani dhe të shihte me sytë etij se si do vejë puna e Kosovës. Që ta shihte se”Isufat” i “mundën ata që “s’hahen as me qep dhe as me hudra”dhe, veç tjerash, të shikonte se si”imperialistët amerikanë” kanë dhënë dhe po japin kontributin më të çmuar për pavarësinë e Kosovës. Sa do të gëzohej! Paqe mbi varrin e bacë Hasan Makës! Amen! . . .

Përparim Hysi, korrik2002-maj 2007

“Dëgjoni, milet! …”

Maj 13, 2007

Kujtimit të Njeriut të mirë, Uan Janos (Kakani)

Nuk ka fierak që s’e mban mend, Uan Janon (Kakani). Ishte jo vetëm një burrë i zgjuar, por kishte një humor shpotitës që të bënte për vete.
Veçanërisht, humori i tij shpërthente kur xha Uani, ky njeri kaq i mirë, ishte bërë xurxull. Në se njerëzit thonë se ç’ka barku, e nxjerë bardhaku, unë them që në rastin e Uanit, kjo thënie zhvlerësohej. Ai atë që thoshte, e thoshte si i pirë, ashtu dhe i papirë. Se kishte një kurajo të pashoqe dhe nuk ia bënte syri tërr. Po të hynte në klub (më vjen për të qeshur, tek shkruaj kështu se, ku mund të përfytyroheshin klubet pa atë? ! )të gjithë do të linin ato që kishin përpara, se e dinin që Uani do të zbrazte ndonjë nga ato:të tijat! Kjo prani e tij qe zakonshme, dhe kurrë nuk u mor vesh pse, ky njeri kaq i mirë, qe dhënë pas pijes.
Sidoqoftë, për një” nga ato të tijat” unë do t’ju tregoj. Hyri ai dhe, kur pa që klubi”Partizani” qe mbushur plot, lëshoi thirrjen:”Dëgjoni, milet! ”Dhe ndaloi. Një nga ata (i njohur i vjetër, me siguri)pyeti:- Po çfarë të dëgjojmë, more mik? Dhe ai:- Dorë e thatë, s’ka uratë! I pari ia mbushi një dopjo dhe xha Uani, pasi e ktheu”eksi”, doli mu në krye të klubit, sikur do të mbante fjalën e rastit. – I vranëLartmadhërisë së Tij, Zogjit I, një mikun e tij, këtu, në Portëz. (1)Njerëzit, të tërë, u bënë sy e veshë. E vranë, – vazhdoi ai, – po erdhi telegrami prej Tirane që thoshte:”Të kapet vrasësi me çdo kusht! ”- Hë, a e kapën? – s’iu durua dikujt pa pyetur. Dhe Uani:_Gjejgje telegramit tuaj, ju njoftojmë se:”Viktimën e zumë, po vrasësi na iku! ! ! ”. Të gjithë ia dhamë të qeshurit. Secili nga ne, shihte tek kjo rrëfenjë diçka të sajuar, aty për aty nga Xha Uani, që për rrëfenja të tilla plot kripë, si ai dhe s’kish shok tjetër. Por nuk kish qenë kështu. Se…
* * *
Kishin kaluar vjete nga kjo histori e xha Uanit. Në shtëpinë tonë erdhi një veteran që veprimtarinë revolucionare (po të shprehem kështu) e kish filluar që në kohën e Zogut. Qe jo vetëm kushëri yni, por dhe vërsnik me tim atë, me të cilin, siç tregonte qe i lidhur ca më tepër.
Unë ca se ma donte puna (isha mësues letërsie) dhe ca se doja të mësoja për atë veprimatri të herëshme të tij, nisa ta ngacmoj me pyetje dhe, kur të gjithë ranë të flenë, unë rashë në dhomë me të. Dhe ç’më tregoi ai, pa e ndryshuar, po e sjell dhe për ju.
Veprimtarinë e kam filluar aty nga vitet 1932- 1933. Në këtë”valle”, si skraparli që jam, më futi Riza Cerova, mik i familjes sonë. Xhaxhai, Pasho Hysi, – tregoi ai, – një mushkë e dërgonte në mulli vetëm për familjen e Rizait. Rizai ishte oficer i Zogut, kishte parë dynja me sy dhe së bashku me oficerë dhe civilë të njohur, formuan një organizatë që u kodua me siglën”Dora e zezë”. Pra, ai më futi në “valle” dhe, sado që ne qemë në gjendje të mirë ekonomike, më dërgoi me”shërbim” në Ndërmarrjen Botore në Fier. Isha si punëtor përgjegjës (kishim kudo njerëzit tanë) dhe për të banuar, rrija tek Ndrizka, në Portëz ku ka shumë skraparlinj.
Bëja sikur punoja, po, për të mos i ngrënë hakën, edhe Lartmadhëria nuk e hante thatë. Na mbante nën vëzhgim. Në Fier, në atë kohë komandant i xhandarmërisë ishte një matjan, besnik i Lartmadhërisë, Mestan quhej.
Sa herë shkëmbehesha me të (Mestanin), ky m’i ngulte sytë etij zhbirues dhe dukej sikur më thoshte:- Skraparli, nuk ma hedh dot! Të kam nën vëzhgim dhe, po të mbërtheva, të piu e zeza. E kutpoja se ç’më thoshin sytë e tij, po bëja sytë katër se, kot nuk thonë:ruhu, të të ruaj!
E mbaj mend mirë. Ka qenë perëndim dielli, në korrik. Sa lashë xhadenë, për t’u ngjitur në Portëz (harrova të të them:rrugën Portëz_Fier dhe anasjelltas e bëja me një biçikletë”Bianka”)përmjet një rrugice të ngushtë, me biçikletë prej dore, kur shoh që m’u lëshua një qen- ujk çobanësh. Lashë biçikletën dhe, tek po matesha të gjeja ndonjë gur apo dru që të mbrohesha nga qeni, ndjeva që dikush më goditi mnë kurriz me aq forcë, sa m’u errën sytë. Tek rashë për tokë, mjegullueshëm vura re atë që më qëlloi:qe një dymetrosh, me shpatulla lisi që, po ta çaje dërrasa, me të shtorje dy dhoma të mira. Hoqi qeni dhe u zhduk. Mbasi e mora veten, fillova të arsyetoj:- Me siguri, – mendova, – është dora e Mestan Efendiut. Në daltë prapë, nesër, kuptohet që e kam nga matjani. Zakonisht, sado firarshe, po mbaja një kobure “Berretë” me vete. Atë natë s’e pata. Të përleshesha me mikun trup më trup, e shihja që s’e haja dot. Efendi Mestani e kish bërë të mirë zgjedhjen. Shkova në shtëpinë e Ndrizkës dhe ç’më ndodhi as që e zura me gojë.
Të nesërmen “Berretën” në xhepin e fshehttë dhe frymën në Fier. Tek klubi ku pija ndonje teke çdo mëngjes dhe kafe, sikur me porosi, më priste xha Mestani (se i moçëm qe! ). Përsëri m’i hodhi sytë etij prej zhgabonje dhe dukej sikur këtë herë më pyeste:- E, si ma ke kurrizin? Mos ma ke më të butë se sa barku? ! Ky shikim më bindi edhe më, në hamendësinë time. Mezi prisja, sa të errej që të provoja ato që hamendësoja. U err dhe tek u ngjita tek ajo rrugica e një mbrëmje më parë, tak dhe u afrua”miku” që pa më përshëndetur, hapi krahun me sa fuqi që kishte dhe, kur po matej të gjente vendinmë të përshtatshëm për të goditur, unë, sakaq, gishtin në këmbëzën e “Berretës” dhe elashë shakull përdhe. Pastaj, menjëherë, në shtëpinë e parë të fshatit, nën një strehë futa “Berretën”. (Të gjitha shtëpitë ishin me kashtë). Nxitova për tek Ndrizka dhe, sa sosa, i thashë këtij:- O burra, të shkojmë tek Novruzi (skraparli tjetër ky)për darkë. Ky na priti krahëhapur dhe thirri dhe dy të tjerë për muahbet. Unë po muhabetin vu dhe ca mëshumë:disa herë ungrita në valle, se më digjte qerja dhe ashtu m’i donte mushka drutë. NË mëngjes mbrritën xhandarët me Mestanin në krye dhe dyshimi qe për mua. U ngritën një taborr me njerëz se qeshë me ta dhe shpëtova. Më tej, plasi kryengritja e Fierit më 1935, më arrestuan dhe Mestani nuk më la torturë pa bërë, po krimine Portëzës nuk ma zuri gojësh. Më dënuan me 20- vjet. Më torturuan çnjerëzisht dhe ndërsa plagët nga torurat m’u qelbën dhe po më ngangrenizoheshin, doktori i bashkisë, gjoja “kujdesej” më sillte një pomadë për t’u mjekuar. – Mos e përdor, më tha bashkëshoku i qelisë, një doktor italian. Mos epërdor. – më tha, – po deshe të mos vdesësh. Lartmadhëria, vërtet, më ka marrë lirinë, po profesionin nuk ma heq dot. Nuk e përdora dhe shpëtova. Kur dola nga burgu (pas një amistie) pak ditë në shtëpi, edhe në çetë (me Çetën E Skraparit) pastaj në brigadë VII dhe shkova deri në Vishegradë. Pas Çlirimit, u gradova major dhe shërbeja në MPMB. Një ditë kisha për detyrë të kontrolloja burgun e Tiranës. Shkova dhe drejtori u mat të më raportoj:Sa më tha:Raporton kapiten I Mestan…. menjëherë idhashë komandën”qetësohu” (e njoha, sa e pashë “mikun” tim të dikurshëm), e ftova për një kafe. Atje më tregoi se si ishte bashkuar me LuftënNÇL dhe, pas luftës, me që kishte përvojë e kishin caktuar me atë detyrë. Mez tjerash, i thashë:_More, xha Mestan, sç u bë një vrasje më 1933- dhe unë në Portëz ish athere- dhe nuk ummor veh kush e vrau atë çobanin. Dhe ai:- Dëgjo, shoku major, bëra aq vjet në Fier dhe i vetmi krim që nuk zbulova. Dhe unë:- E varava unë! ! ! – Ah, sikur ta kisha ditur, sot do të kishte një major më pak…Ja, kaq qe dhe tregimi i tij. Dhe unë, duke i bashkuar të dy ndodhitë në një, them:sa e çuditshem që është jeta! Ka raste që edhe armiqtë i bënë miq dhe anasjelltas! E kanë mirë arabët që thonë:- Mos e sha deri në fund armikun tënd, se, ku ta dish, një ditë mund të bëhet mik dhe mos ia beso të gjtiha të fshehtat miku, se, ku ta dish, një ditë të bëhet armik.
Sentenca, sidoqftë, është si një”antipastë” që i shkon asaj thirrjes së Njeriu të mirë , Uan Janos (Kakani) që bërtiste:”Dëgjoni, milet!” Një thirrje, që unë pa dashje, e zbardha plotësisht. Paqe mbi varrin e Njerit të mirë, Uani Jano (Kakani)! Amen! …

Përparim Hysi, Nëntor 1974
Dërguar për ”Peshkupauje” më 24 prill 2007

Poezi te derguara tek peshku

Maj 11, 2007
Jam

Jam si t’më kesh hedhur ujë të ftohtë mbi shpinë
Se shpirtin e kam akull?”
Po të mos shoh sivjet Shqipërinë,
Do t’më gjeni shakull…

24 mars 2004

Një gazëllim

Një gazëllim i pamat shihet në sy
Fytyra shndrit si vezullim rrufeje
E gjitha je si një mrekulli
Ndaj,dhe unë,mbeta pas teje.

30 mars 2004

Ti

Ti je për mua si një shpresë e dhimbshme
Apo si një hare misterioze,e mjegulltë.
Nuk di se ç’pres nga kjo shpresë e dhimbshme
Po shpresoj të zbardhë këtë”çast të errët”.

6 prill 2004

Medititm

Me mend kam ardhur në kopshtin tënd të vashërisë
Dëshirat i kam lëshuar azat:ua hoqa kapistallin!
Dhe ndjej të më hidhet zemra prej dashurisë
Si dikur,djalërisë, aq sa nuk e mbaj dot mallin.

10 prill 2004

Kaq?!

Një dëshirë kaq!Kaq e kaq e kam
Sa të shihja:aq dhe ia bëja”bam!”
Sa gati po plas,aq dhe mall kam
Më prit,o ti gaz,se plasa,aman!

9 prill 2004

Perse

Rrufenë që kishe në sy
Të gjithën mbi mua e shkarkove.
Më dogje,më bëre hi
Përse?Përse më shkrumbove?

9 prill 2004

Në do

Në do porttretin tim aktual?
-Nje qen i rrahur me bisht në shalë!
Ky pra është,tani,i imi portret
“Vizatuar” nga kurbeti doravetë.

9 prill 2004

Ah,ky shi!

Ah,ky shi që bie papushuar!
Një kohë tjetër më sjell ndërmend
Kur nëpër shi,të dy të përqafuar
As pyesnim për shiun(se kishim vënë pendë)

12 prill 2004

Ata sy

Ata sy aq të bukur(s’i kamë parë,moj,asgjëkund!)
Ku i”vodhe”,o moj flutur,se i pashë e tani s’mund
S’mund të rri fare i qetë(iku,iku nga unë gjumi/!)
Ata sy dhe qiell dhe det,po s’i putha,më erdh fundi.

12 prill 2004

Askush

Askush s’m’i hedh më sytë tani
Akush: e kush pyet për një plak?
Ah,sa e keqe je,o moj pleqëri
Vajtoj i brengosur si sakat.

prill 2004

Kur ike ti

Kur ike ti,sikur ra planeti!
Dita u nxi(krejt si eklips!)
Aq keq e ndjeva veten unë,i shkreti,
Sa ngriva!Gjithësia-apokalips!

15 prill 2004

Kur do vish?

Kjo pyetje po më ha çdo ditë egërsisht
Sa ngre telefonin:-Hë,kur do vish?
Dhe unë u përgjigjem:-I do qorri sytë?
Tani kuptohet(më prit,veç më prit)

15 prill 2004

Intimitet

Trupi yt-valë i ngrohtë
Siç është dita tek ne në gusht!
Ç’të them?S’di a e arrij dot
Seç pashë,kur rashë mbi ty palmuç…

16 prill 2004

Në Stari Bucks

Një trup fin,i derdhur për sfilatë
Dy sy më përpinë(ah,ç’hoqa atë çast!)
Pse-thashë,-më mundon?Ç’ma sjellë përballë?
Ilaç që shëron,do të”pi” dot,vallë?!…

15 prill 2004

Kindat e fustanit

Kindat e fustanit t’i ngriti era
Mu si krahët e një shpendi të trëmbur
Unë shoh… dhe më zënë të”prera”
Ç’pashë?Mbeta si i lënur…

18 prill 2004

Je si lule

Shëndeti yt i harlisur,tregon se je lule n’shpërthim
Ndaj mendja ime ekrisur,kaptoi pas tej si n’harrim!
S’do mend që u”harrova”,mendja nga unë iku
S’ka gjë dhe n’u harrova,sa lulja mua më”fshiku”

20 prill 2004

Si ujku

Ashtu si ujku i”zbutur” që e ka mendjen nga pylli
Ashtu dhe unë mendjen e kam veç në Shqipëri.
Aq mall kam,sa plagë m’u bë mua shpirti
Dhe jam gati sa t’ia thërres me oi…

22 prill 2004

Shkëlqimi i syve

Shkëlqimi i syve të mrekullueshëm
Më jep një dhëmbje shpirtërore të thellë.
I dua,i dua ata sy të mrekullueshëm
Se zemrën dhe shpirtin m’i shpove si turrjelë.

22 prill 2004

S’kam faj

S’kam faj në të”vrava!(të”vrava” nga frika)
Jam me flokë të bardha(kam frikë nga”korita”(1)
Erdhe më ngacmove,erdhe më the:plak!
Unë pushkën e nxorra dhe e zbraza”fap!”
1.turpi

24 prill 2004

T’i hoqa rrobat

T’i hoqa rrobat një nga një?!
Dhe hasa në një venus?!
PO më thuaj:-Ç’i doje rrobat më,
kur bashkë ramë në”pus?!”

26 prill 2004

Të gjithë

Të gjithë e rrahih gjoksin:moralistë të kulluar!
tek secili shoh”karagjozin”(gati për të blasfemuar)
Bërtasin për moralin,por ja që tundohen!
Secili ka”djallin”(për shënjtin betohen!)

3 maj 2004

Tani

Tani”ngopem”dhe me”erë”
Se stomaku nuk”tretë”mirë!
Më ngjan vetja si beterr
Pleqëri,je djall me brirë.

5 shtator 2003

Ato shkallë

Ato shkallë do t’i ngjis,do t’i ngjis me një frymë
Se nga malli sa s’kuis(kam marr flakë e po nxjerr tym)
Domethënë jam si në mjegull(sa zë eci kuturu)
Veç aty unë bëhem qefull(mall,o mall,Ç’më bën kështu?!)

4 nëntor 2003

I “ndryshkuri”

Është i”ndryshkur”,(thoshe ti për një koleg)
Po një ditë u zunë “gafil”(me atë tet a tet)
Për të”ndryshkurin”the që ishte”djall me brirë”
Se unë e dija”të ndryshkur”,po më”kallaisi”mirë.

20 qershor 2001

Letër koleges

(Lexuar para kolegëve)

Ballë për ballë me mua,sytë mban nga Vilsoni (1)
S’të bën gjë Xhorxh Bushi,ruhu nga Klintoni?! (2)
Nuk kish “faj”Klintoni(flirtoi me Monikën)
“Teveqel” jam unë që kam frikë Sikën. (3)
1.Koleg
2.XHorxh Bush-senjor
3.Ime shoqe.

25 tetor 2000

Si pula shqirake

Pulën shqirake s’e zë gjumi,
po s’pa n’ëndërr sikur s’ha grurë!
Edhe mua nuk më zë gjumi
Po s’pashë Shqipërinë që e kam lënë që kur…

15 nëntor 2001

Susta e fatit

Susat e fatit m’u hap shumë(më vërviti goxha larg)
Edhe pres,i ziu unë,që të mblidhet,t’më kthej prapë.
Po s’u mblodh dhe ndënji hapur dhe më la këtu ku jam
Do më gjeni me buzëplasur(dijeni që ia kam bërë”bam!)

27 mars 2001

Mbi hamak

Mbi hamakun prej rrjete,unë tund mbesën
Përballë,mbi hamak,po tund çupën ti.
Gjumi të vegjëlit i zë si mbi djepe
Ne shikohemi,buzëqeshim,por çfarë”tundim” me sy?!…

8 prill 2001

Përparim Hysi,dërguar për”peshkupauje”më 11 maj 2007

Poezi me kater vargje …vazhdon

Maj 11, 2007
Rend?!

Rend pas teje?E kam kot!
Çfarë dua tek e fundit?!
“Pushka”ime s’mban barot
“Lagur”është”foleja e plumbit”
15 dhjetor 2003

Në mbeta

Në mbeta idealist i pandreqshëm,
Në këtë botë të kredhur me allishverish
Them në botë ka plot njerëz të ndershëm
Se sharlatanët numërohen me gisht.
2 nëntor 2003

Kam “kullotur”

Kam kullotur kalin e sevdasë
Si një kalë arab,i palodhur!
Tani që po i afrohem”Saharasë”
Dihet që s’vdes,po do bie i”ngordhur”

22 nëntor 2003

Ne

“Ne ishim lindur për dashuri e besim
dhe jo për shkatërrim.”
ESENIN
Ne s’kemi lindur për dashuri e besim!
Ne kemi lindur vetëm për shkatërrim?!
Shkatërruam çdo gjë(me gene satanaj)
Nuk shtoj asgjë më… dhe vaj,e vaj,e vaj…
20 dhjetor 2003

Ligësinë

Ligësinë nuk e pres në heshtje.
Në sy të ligën e mbështyj.
Mos prit,o i lig,nga unë buzëqeshje,
se tek hipokritët nuk hyj.

23 dhjetor 2003

Kur pija cigar

Kur pija cigar,kujtoja
se vrisja me të mërzinë?!
E thithja mirë e mirë,gulçoja
Dhe veç dogja me të mushkërinë.

26 dhjetor 2003

Po

Po t’ma çani zemrën,nuk ka më gjak
Se është venitur dhe mezi regëtin.
Që ndodh kështu,ka dhe një shkak
Regëtin nga malli për Shqipërinë.

20 mars 2004

Ato puthje

Ato puthje me drojtje dhe frikë?!
Sikur na përtërinin(ta themi açikë)
Seç kishin me vete(të bukur,të fshehtë)
Dhe,sado të frikshme,kumbonin jetë.

20 mars 2004

Jam

Jam si t’më kesh hedhur ujë të ftohtë mbi shpinë
Se shpirtin e kam akull?”
Po të mos shoh sivjet Shqipërinë,
Do t’më gjeni shakull…

24 mars 2004