(Requem për Kujtim Spahivoglin)
Jam pakësa i vonuar, por, siodoqoftë, më mirë më vonë se sa kurrë. Këtë shkrim ka kohë që e ruaj në kujtesë si një plagë që dhëmb dhe më ka ndodhur si me Gurin mitologjik të Sizifit, e ngre dhe prapë rrëxohem me gjithë të. Ngjarja është e vjetër, gati 30-vjeçare, por, sado e vogël, më ka lënë një mbresë që dua që ta heqë nga trupi. Dua që ta ndajë me të tjerët: fillimisht me të afërtit e të ndjerit (gruan, Vllasovën; çupën e tij, Timin; të vëllanë, Skënderin dhe nuk di në ka të tjerë? ! ) mandej me të gjithë ata daashamirë të shumtë të tij që nuk janë vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë (ai ka patur një stat unik: shkonte në Kosovë për art! ) dhe, siç edhe ka ndodhur, me këtë kurbet galopant: në të katër anët e globit ku ka shqiptarë. Kam dhe një arsye tjetër: sivjet, me sa di unë, është 20-vjetori i tij (më duket ka qenë në shkurt? ! ) . Ka 20-vjet që fizikisht nuk është, por rron tek ata që e kanë njohur, një prej të cilëve jam edhe unë. Ndoshta jam i gabuar (për shkak se jam larg Shqipërisë) por nuk pashë ndonjë takim jubilar për nder të tij, të paktën sa kam ndjekur unë së largmi. Sidoqoftë, duke prurë këtë shkrim ” rekuem “ për Të, bëj një si apel për të gjithë ata që e kanë njohur, këtë artist të madh të skenës që, veç artistit, hynte në ata njerëz me zemër të madhe sa bota, pra apel për ta bërë sa më të plotë portretin e tij të bukur që, mjerisht, jo vetëm e masakruan, por e vranë para kohe.
* * *
Ka qenë vera e vitit 1960 a 61? kur e kam parë për herë të parë në skenë. Luhej ” Hamleti “ i Shekspirit dhe për këtë rol debutonin në net të ndryshme, tre aktorët tanë më të mëdhenj në atë kohë: Naim Frashëri, Kadri Roshi dhe Kujtim Spahivogli. Naimi dhe Kujtimi ishin nën kujdesin e një regjisori sovjetik (Batko a Bratko më duket se kish mbiemrin? ! ) , kurse Kadriu përgatitej vetë. Unë-pse ta bëj hasha-isha fans i Kadriut. Kjo për dy arsye: e kisha parë tek ” I çudtitshmi “ dhe më kish befasuar dhe, nga ana tjetër, rrija me një të afërmin e Kadriut tek shtëpia e artistit, kur banonte tek pallatet ” Agimi ” . Aty, tek shtëpia etij, lexonim pirgun e letrave nga simpatizantët dhe këto, natyrisht, dikonin në shijen time. Por shkova i pashë që të tre me radhë. Kurrë nuk mund të harroj dy duar që sikur bënin dritë tek ” përkëdhelnin “ në skenë kokën eJorikut, pastaj batutat që duket sikur dilnin nga një shpirt vullkanik: ishte, këtë radhë, i bukuri Kujtim Spahivogëli. Dhe më mbeti në mendje: i bukur, i paarritshëm. Mandej, e ndiqja në shtyp nga largësia, dhe më bëhej qejfi.
Lexoja-pse ta mohoj-edhe ndonjë poezi të tij. Shkëlqimin po e arrinte si regjisor dhe ca më tepër me kontributin që po jepte në Kosovë ku shkonte shpesh (gjithmonë sipas kujtesës sime, se sot nuk kam një organ shtypi për t’iu referuar) . Mandej-mos gaboj në mes viteve ‘70-erdhi dhe gjëma. E dëbuan. E përçudnuan. E maskaruan. Dhe, kur marrë të shkruaj për këtë dëbim tinëzar, s’ka si mos më vij në mend, një varg lapidar i Asdrenit nga poemthi ” Kryengritësi “ që thotë: ” Dëbojeni ” Të ikë se na bën hije!” Dhe, për fat të keq, kështu ka ndodhur. Qenka zbuluar (më së fundi) se nuk ka patur kurrfarë vendimi për të ” linçuar “ këtë artist të madh të skenës, këtë luftëtar të madh të Kombit (ka qenë ” Debatikas ” , këtë njeri kur kjo fjalë në çdo pozicion përbri tij duhet shkruar me të madhe. Dhe e dërguan në Fier. Në Fier po ku: në bonifikim. Në bonifikim po ku: në Mbrostar-Ura, tek ai poligoni (siç e quajmë ne, vendësit-se jam nga Mbrostar-Ura, fshat 3-4km larg Fierit) , ku dhe e ritakova. Por të mos harroj: u vrava dy herë shpirtërisht me këtë internim të Kujtimit edhe për një arsye tjetër: këtë do t’jua them më poshtë. Fieri ish qendër ku vinin kryeqytetas të sferave të ndryshme që ia kishin bërë ” borxh “ partisë: këtu kanë mbyllur sytë (në Fier) Sejfulla Maleshova dhe Sejfi Vllamasi. Kanë vuajtur dënimin artistë si Pëllumb e Xhuljeta Kulla, Leka Bungo, Maria Rafael edhe ndonjë tjetër. Por me Kujtimin ndodhi pak më ndryshe: e shoqja, Vllasova, e ndau. Kjo (kështu arsyetoja atëherë) më revoltoi mua më shumë. E braktisi atëherë kur i duhej më shumë. Dhe e mora Vllasovën më shumë inat se sa partinë dhe qeverinë. Në shkruaj tani kështu me letra të hapura, dua që, ndoshta, ajo ta lexojë dhe ta dijë mendimin tim.
Dhe tani si e takova? Po vija me biçikletë nga Fieri për në shtëpi dhe, mu tek porta e poligonit, pashë një burrë që jepte e merrte për të hedhur mbi një reportabël, një platformë betoni. Ishihja duarët etija të veshura me një palë dorashka ” made in thes çimetoje “ që jepnin e merrnin, po s’po arrinte dot. Lashë bicikletën dhe iu afrova ta ndihmoj, Kur ç’të shoh? Qe ai: Hamleti! ! ! (dora vetë Kujtim Spahivogli) . -Hamlet, ti në Mbrostar-Ura? – i thashë. Ai, i befasur, lëshoi platformën dhe tha: -Ku më njeh? -Po ty të njeh e gjithë Shqipëria, -i them. Dhe pashë që iu rrëkëllyen dy lot të mëdhenj. Lot të mëdhenj prej burri të nëpërkëmbur. E kapa platformën dhe e hodha mbi reportabël. Tek po matej të më falënderonte, unë pashë që po afrohej ” fukaraj ” -një afie që hiqej si i varfër-por ishte sytë e veshët embretit. E keqja qe se ” fukarai ” më njihte mua dhe ky ” takim ” sado i rastsishëm, s’ishte në të mirën time. Frikën e njihja dhe s’kam pse të rrah gjoksin për trim.
Pedalova mbi biçikletë, për t’u shpëtuar syve të ” fukarait “ (maskarait-më mirë) por pas mora dylotët e atij burri që më pikuan shpirtin. Shkova në shtëpi she shkrova aty për aty: ” Kur qan një burrë ” . Duket sikur u çlirova nga një si makth, por, sakaq, dhe më filloi autocensura. Frika se mos më pa kush se çfarë shkrova. Dhe e grisa atë që shkrova. Vetëm nga frika. Ama lotët e Hamletit më kanë ndjekur dhe sot e kësaj dite. Diku, dikur, kur diktatura u përmbys, rishkrova për këtë artist të madh një poezi. Sado që s’është kushedi se çfarë unë po e sjell për ju. Sidoqoftë, unë pres që këtij artisti të madh t’i jepet vendi që ka merituar. Një qiri mbi varrin e tij! Amen! . . .
K u j t i m !
Post Mortum, Kujtim Spahivoglit
Ç’qe ajo dorë mizore që të ” vrau ” në gjumë?
Ty, shpirtmadhit, me zemrën si pëllumb?
Vendim hiç s’ka patur (të dënuan qesim? ! )
Kë shkele në kallo, i bukuri Kujtim? !
Një gojë si gjeratore, e keqe, e ligë
Voll helmin e cmirës: të ikë, të ikë!
Pëllumbin e bukur, me shpirtin e madh
E dëbuan nga Tirana: larg! Sa më larg!
Të bëjë beton, të hapë kanale
Ah, gjuhë zezonë! Ah, gjuhë prej Kasandre!
Dhe shpirti i bukur u lodh, u cfilit
Të vretë pafajësia, nga pak për çdo ditë.
Dhe zemra më s’duroj (një ditë shkoi, u fal. . . )
Siç fiket një qiri që tretet me ngadalë.
Dhe iku pëllumbi (ndoshta në të pakthim)
Por ne që të duam: të presim, Kujtim!
Skena të pretë dhe njerëzit të presin
Se Njerëz si Kujtimi kurrë nuk vdesin.
Tek shkruaj këto vargje (më bëhet si i gjallë)
Atje, tek poligoni, tek hapte një kanal.
Ndaj them me veten time: ndoshta e shoh prapë? !
Ah, kjo shpresa ime, pse mbeti e thatë? ! . . .
13 tetor 2004
1. Mbrostar-Ura-fshat 3-4 km larg Fierit.
Përparim Hysi, dërguar për ” peshkupauje ” më 18 qershor 2007