Dervishi (tregim)

by

Kish mbetur jetim dhe, thuaj, qe rritur rrugëve. Bukën e përditshme e nxirrte duke lypur. Por bënte kujdes që në një derë mos dukej dy herë se njerëzit ishin në hall, siç mendonte ai. Kishte dhe raste-dhe s’qenë të pakëta- që dhe mos i jepnin gjë, por kjo as e fyente dhe as e inatoste. Se dora e thatë, çfarë do të japë, në fund të fundit? ! Më tepër lypte fshatrave se jo vetëm që fshatarkat (se ato gjente në shtëpi, de! ) ishin më bujare se qytetëset, por, veç kësaj, qyteti qe larg. Dhe në qytet, kur shkonte, duket sikur do të humbte.

Salltanetet as që i njihte dhe kënaqej me ç’t’i jipnin. Falënderonte nga larg se, elbete, nikoqirja mund të qe e re dhe lypësi nuk kish nge dhe për avaze të tjera. Se mjaft që kish mospasjen, por dhe ato këmborë i duheshin! Ndryshe, krejt ndryshe ndodhte kur gjente ndonjë plakë në shtëpi. Me të jo vetëm shtrohej në muhabet, por nuk harronte kurrë që me shënjë mirësjelljeje t’i puthte dorën hëm kur mbrrinte, edhe kur largohej. Pak këtu dhe pak atje, ai e shtynte si e shtynte.

Një ditë (po shkelte për herë të parë në atë fshat) i hodhi sytë dhe pa një ndërtesë të madhe: më e lartë se të tjerat dhe veç fshatit, pranë një pylli. Ajo që i bëri përshtypje qe fakti se ndërtesa dukej qe qarkuar me një mur, një pjesë e të cilit dukej që larg. -Atje do shkoj, -vendosi. Kur u afrua tek ndërtesa që shihej nga larg, pa se jovetëm muri e kish qarkuar atë, por ngjitur me të qe dhe një pyll pa fund që, thuaj, se të lemeriste me drurët e dëndur e të lartë. Lypsit as që i duhej me pyllin. Trokiti tek porta hyrëse që, ndryshe nga shtëpitë e fshatit, ish me dy kanata. “Kam rënë në”gjah” të mirë”, -mendoi me vete.

Trokiti. E ku dëgjohej e trokitura në këtë portë të madhe? ! Përsëriti të trokiturat edhe më të forta dhe, kur u bë gati, ta qëllonte me grusht, një kanatë e portës u hap, dhe u rrëfye një dervish. Njerëzit e “tarikatit” i njihte nga veshja dhe lypsi, sa e pa dervishin, bëri një temena. Dervishi: -Përse ke ardhur? Ke sjell gjë për teqenë apo do të takosh Babanë? Lypsi, zënë ngushtë nga këto pyetje, rrinte sikur kish bërë faj! Por kjo gjendje s’mund të vazhdonte, ndaj i tha:

-Dua ndonjë gjë për të ngrënë!
Dervishi: -Shtëpia e Zotit ka për të gjithë dhe, si i priu përpara, e çoi drejt e në kuzhinë. Atje i dhanë për të ngrënë dhe, kur mbaroi së ngrëni, dervishi e pyeti:
-Nuk ke njeri në shtëpi?
-JO.
-Po të afërm a ke?
-JO, jo. Jam i vetëm, asnjë të afërm nuk kam.
-Pa prit pak këtu, -i tha dervishi, -të vete t’i them Babait, se, ndoshta, të mbajmë këtu si çirak për të të bërë dervish.
-Mirë, – pranoi lypësi.
-Ejvalla, nazar! -tha dervishi, pasi u përkul para Babait të teqesë. Babai, veshur me takëmet e Tarikatit që përfaqësonte, ulur mbi një shilte të trashë, nën hijen e një lisi, këmbët e zbathura i kish vënë mbi një jar ujë të ftohtë, se qe gusht e të piqej koka; mbi një palare të madhe ish një kokë e pjekur dashi, një faqore rakije dhe, veç tyre, ndonjë frut i stinës.
-Ejvalla, nazar, -përsëdyti dervishi.
-Çfarë ka ndodhur, evlat? -iu kthye me pyetje dervishit, Babai.
-Ka ardhur një lypës, njeri pa njeri, dhe thashë të të pyesë ndoshta e marrim çirak që ta bëjmë dervish.
-Visheni dhe ma sillni t’hu, -urdhëroi Babai.
-Shpëtove, lumëzi, – i tha dervishi lypësit. Por dëgjo: për çdo gjë që do të pyesë Babai, para se të flasësh, do t’i thuash”Ejvalla, nazar! -dëgjove? Kur të vesh, do t’i puthësh dorën dhe, kur të ikësh, po kështu. Tani hajde të çoj tek dervish Bektashi që të marrësh rrobet e Tarikatit tonë.

E veshi dhe, pasi priu përpara, ia paraqiti Babait. “Dervishi i ri” kaloi përmjet një bahçeje që të lezetoste shpirtin dhe më tutje pa një pyll që të lemeriste. Ndërkaq, arritën tek Babai. Babai, veshur me atë rrobën e bukur qendisur me fijëza të arta, me atë sarëkun në kokë , të bardhë me një jeshile të zënë, me mjekrrën e bardhë dëborë e të gjatë, dukej edhe më madhështor se sa qe dhe të dukej, për një çast, sikur, me të vërtetë, qe më afër zotit.

-Jetim je?
-Hejvalla, nazar, jetim jam.
-S’ke të afërm!
-Jo, asnjë. Mirë, more dervish Musai, ma ço tek dervish Bektashi, të marrë një kosore, një kazëm e një lopatë e ma sillni prapë këtu. Kështu dhe bënë. Kur u paraqit, për së dyti, lypësit sikur i erdhi goja dhe i tha:
-Ejvalla, nazar, sa bahçe e bukur kjo e teqesë!

Dhe Babai: -E bukur, e bukur, po ka qenë pyll si ky që më është këtu. Por një dervish si puna jote e ktheu në bahçe. Prandaj më fillo dhe ma pastro këtë pyllthin këtu se do ta zgjeroj bahçenë! “Dervishi i ri” sa s’kafshoi buzën nga e keqja! Të pastronte pyllin? ! Dhe kush? Ai që tërë jetën nuk kish zënë punë me dorë. . . Ah, o Baba, t’u bëftë mu në grykë! -mallkoi me vete lypësi. Të mbettë ndonjë copë nga ato që po ha, po ashtu shul e shul, e të shkosh mu në esfel! Po sa para bënin këto mallkime tani?

Filloi dhe, pas një ore, kullonte djersë. Të çlodhej, s’e linte syri prej zhgabonje i babait. Aq po lodhej sa i dukej se në këtë vapë xërr do pëllciste si ndonjë flluskë sapuni apo si ato gjinkallat e mjera që këndonin mbi trungjet e pemëve. Forcat po e linin dhe, veç kësaj, dëgjoi zërin e Babait:

-More evlat, jepu duarëve se ashtu si e ke zënë as mot nuk e mbaron. Se dëgjo këtu: as Zoti nuk i do dembelët? ! Tani “Dervishi i ri” ish gati që t’i sulej me atë kosoren Babait dhe, pastaj, të ikte nga sytë këmbët. Nga shiu, ra në breshër.

Sakaq, që nga pylli po dëgjohej angullima rrënqethse e një qeni. Ulërima qe aq e madhe, sa “dervishit” nuk iu durua:

-Baba, -tha, -të vete të shoh se çfarë ka ai qeni?
-Shko, -e lejoi Babai, -po mos u vono se je mbrapa me punën.

U bë me krahë dhe gati fluturoi për në pyll. Pas ulërimës e gjeti kafshën dhe u çudit. I zoti i qenit, pasi e kish lidhur qenin pas një peme, i binte me myk të sopatës në kokë dhe në trup. Ndaj dhe qeni ulërinte.

-Pse e rreh qenin? -e pyeti “dervishi”
-Po e rrah, po s’po ngordh, se më hëngri bukën e drekës!
-Si, or si? Mos e rrih, – i tha “dervishi”, bjema mua t’ia çoj Babait të teqesë. E vë Babai që të qërojë pyllin dhe ngordh vet pastaj. . .

Përparim Hysi, gusht 1973
Dërguar për”peshkupauje” më 4 qershor 2007

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s


Këtë e pëlqejnë %d blogues: