Rune “Eksiqi”

by

E quanin Harun, po shkurtimisht i thërrisnin Rune. I mbeti kështu dhe kaq! Por ai”Eksiqi”, mendoj unë, i mbeti kot së koti? ! Kot së koti , po vajti dhe shkoi. Se paranomë e pati, por ke parë ti, iu ngjit si me tutkall dhe, sado që u rrit, i thonin po ashtu: Rune Eksiqi! Por kësaj i thonë që ta pësosh kot fare, se kot fare e pësoi dhe Runia.

Dhe ja se si ka ndodhur:

Gjyshi i Runes, Kasëmi, ishte duke krasitur hardhitë. Ai krasiste dhe nipi, Runia, lozte aty nëpër këmbët e gjyshit. Ndodhi që ato të shkreta gërshërë e “kafshuan” gjyshin në gisht dhe i vërshoi gjaku. Sakaq dhe gjyshi i thirri: -Rune, nxirre bilen shpejt dhe përmirre gjyshin këtu(gjyshi shënoi vendin nga zbriste gjaku). Runia qe i vogël, rreth 5-vjeç dhe, sado e çuditshme që iu duk kërkesa e gjyshit, bëri ashtu siç i tha ai. Por. . . dhe këtu fillon taksirati për të. Për Runen, pra.

Kish kaluar nja dy muaj nga kjo histori dhe në shtëpinë e Runes bëhej një gosti(mbledhur farë e fis, miq, burra e gra)dhe Runia, tek lozte, do ti që të rrëxohet dhe një copë xham i preu gishtin. Duke qarë nga dhimbja, dhe ca se u tremb nga gjaku që i pikonte, vrapoi në odën e miqëve dhe iu drejtua gjysh Kasëmit: -Gjyshi, nxirre shpejt bilen dhe përmirre Runen këtu? ! Ndërsa gostiarët ranë përmbys me këtë çiltërsi të Runes, gjysh Kasëmi, i mbuluar me turp nga të ftuarit, i bërtiti: -U lanet paçë, more eksiq! Se eksiq dhe kaluar eksiqit je! Dhe kështu nga ajo ditë i mbeti kjo nofkë dhe mezalla se iu nda. Sa, për mua, që e kam njohur dhe kam qenë moshtar me Runen, them që ai vetëm eksiq nuk qe. Po qe i çiltër dhe gjërat i thoshte ashtu, hapur. Ose të paktën i thoshte ashtu si i mendonte. As nuk fshihte gjë, edhe sikur kjo gjëja që do tregonte ta ngarkonte me faj. Kur them kështu, jam dëshmitar jo vetëm unë, por dhe të tërë ata që e kanë njohur Runen.

Ishim në klasën e parë. Ka qenë viti 1948. Epo do të thoni: -More histori do bësh a si? Jo vitin e theksoj për diçka tjetër. Për t’ju treguar juve, lexuesëve, se ishin vitet e pasçlirimit kur, të sapodalë nga lufta, fshati(dhe jo vetëm fshati) përjetonte një varfëri të pacakë. Unë, për veten time, dhe jo vetëm unë, shkoja në shkollë, shpesh, edhe zbathur. Edhe Runia po kështu. Se dhe ai i varfër qe. Mësuesen e kishim si kartolinë: të bukur po, të mirë e të dashur që çfarë të thuash! Dhe kjo, mësuesja, kish një të mirë tjetër: na trajtonte si të ishim fëmijë të saj, por ishte edhe kërkuese. Sikur një ditë të mungoje në shkollë, do të ngrinte para klasës(ne e quanim qamet të madh këtë)dhe të bënte një si gjyq të vogël. Dhe, të thuash të drejtën, kurrë s’mungonim në shkollë, veç në rast të ndonjë sëmundjeje. Por ja një ditë nuk erdhi në shkollë Runia. Të nesërmen, mësuesja e ngriti Runen para klasës dhe filloi ta pyesë: -Pse nuk erdhe në shkollë dje? Runia që kurrë s’rrinte pa kthyer përgjigje, këtë herë s’po fliste. Dhe kur mësuesja e ngriti zërin ca më lart duke i mëshuar asaj pse. Runia e “zbrazi”:

-Nuk erdha se nëna më lau brekët! ! ! Ne ia dhamë të qeshurit, kurse mësuesja u skuq sikur të kish bërë faj, i tha: -Mirë, shko dhe mos mungo më. Dhe Runia, për herë të parë me kokë të varur, u ul pranë meje. E pse qenkësh eksiq, pse thoshte të vërtetën. Po ja e tillë qe ngjëndja në ato vite sidomos në fshatra. Po nuk mbaron këtu kjo histori.

Të nesërmen, Runia u nis për në shkollë. Mësuesja, sado që qe nga qyteti, flinte në shtëpinë e një bashkëfshatarit tonë. Mu aty tek shtëpia ku flinte mësuesja, Runia, pa varur në tel rrobat e lara të mësueses. Ou, -mendoi Runia, -s’paskemi shkollë sot, se mësuesja paska larë brekët? ! Dhe u kthye në shtëpi. Mësuesja, pasi bëri apelin, pa që Runia mungonte prapë. -Do ta shihni, -tha ajo, se çfarë do t’i bëj nesër! Erdhi dhe e nesërmja dhe Runia krejt i qetë u ul pranë meje. Kur mësuesja e pa, i tha: -Pa dil pak këtu para klasës. Tani më trego pse nuk erdhe dje në shkollë? Dhe ai: -Jo, mësuese, unë erdha. -Si, erdhe? -s’i udurua asaj. Dhe , menjëherë, u drejtua nga ne: -Qe dje në shkollë Runia? Ne, njëzëri: -Joooo! -E sheh, -tha mësuesja, -nuk ke dhe turp , po vjen dhe gënjen. Jo, nësuese, -tha Runia, -për kokën e nënës unë qeshë(ky qe betimi më i rëndë për ne aso kohe), por kur kalova tek shtëpia e Shefitit(ku rrinte mësuesja), pashë që ti(Runia, se mos ne, s’dinte të fliste në shumës) kishe larë brekët dhe thashë: Mësuesja ka larë brekët, s’paskemi shkollë sot. Dhe u ktheva. Ndërsa uturimë nga të qeshurit, mësuesja mënd po digjej flakë nga turpi, dhe, ashtu, e skuqur i tha: -Shko, ulu në vend.

Dhe ul në vend Runia që, kot së koti, pse thoshë të vërtetën i thoshin eksiqi.

* * *

U rrit Runia dhe, pas ushtrisë, i paska thënë gjyshi: -Rune do të martojmë. Dhe Runia: -Unë e begenis nusen edhe çupë po të jetë? !

Gjyshi ia dha të qeshurit dhe i tha: -Po kur të thonë eksiq, ti më je brinxhi nga mendja! E martuan, por ja, kjo eshkretë martesë, nuk i eci mbarë. Nusja, siç duket , e tradhëtoi dhe Runia, i drejtë siç ishte, iu drejtua gjykatës për ndarje. Gjykatësi, në gjyq e sipër, e paska pyetur Runen: -Përse do ta ndashë gruan? Dhe Runia: -Se e pashë që po puthej me një botë(nuk zinte emër në gojë, se qe i ndershëm). Gjykatësi: -Punë e madhe se po puthej, nuk është arsye kjo për ta ndarë. Runes i hipën: -Mirë, more shoku gjykatës, kur s’qenka punë e madhe kjo puthja me një bot, sillja atë gruan tënde Runes që ta puth se nuk bëhet qameti? ! Gjykatësi, sikur ta kish kafshuar diçka papandehur, kërceu përpjetë nga karrika dhe komnikoi: -Për ofendim të trupit gjykues, Rune”Eksiqi”(po kur i tha dhe ky Eksiqi, pa? ! )dënohet me 6-muaj burg. Dhe kështu jo vetëm e dënuan Runen, po i bërë kokërr për kokërr ca në Bulqizë dhe ca në Borsh. E morën më qafë dhe, siç më tregoi kur doli nga burgu(kish katandisur gjysëm njeriu)në Bulqizë, kur s’bëja normën, më zhvishnin gjysëm lakuriq dhe, mbasi m’i shkelnin dhunshëm me këpucët alpine këmbët e zbathura, më vinin në një qeli që pikonte. Dhe, duket atje mori ftomë të rëndë.

Dhe vdiq i ri Runia i shkretë. Që veç eksiq nuk ishte. Paqe mbi varrin e Runes, të mirit, të çiltërtit deri në paharrim. Amen! . . .

1. eksiq(tur. )-i mangët

Përparim Hysi, qershor 1987

2 Përgjigje to “Rune “Eksiqi””

  1. edrus Says:

    prova

  2. akull-naja Says:

    Bravo Edrus!
    Papit do i behet zemra mal. M’u mbushen dhe mua syte… lere, lere…:)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s


Këtë e pëlqejnë %d blogues: