Kthehu ha fiq,se më rreh baba!(tregim)

by

(tri rrëfenja në një)

Kisha dal për makinë për t’u kthyer nga Tirana në Fier atë vjeshtë të vitit 1960. Për fat, ndaloi një gaz dhe, sa hipa, shoferi më tha që shkonte për Peqin. Gjysma e së keqes qe, për faktin se deri në Rrogozhinë isha më mirë se të udhëtoja me tren. Shoferi qe një djalosh i ri dhe shumë gazmor. Mezaalla s’e hiqte këngën prej goje. Sikur kish lindur ditën e këngës. Ia tha së parës: “kush ma freskon ballin mu? /aman, Sabahet! /Të kam dashur dhe të du/aman, Sabahet! Desha s’desha hyra dhe vet në valle (atje ku mundja, sigurisht) . Se qe njeri i çuditshëm dhe nuk e mbaj buzëqeshjen edhe tani që shkruaj. Se ja tek më përfytyrohet ashtu i shëndosh, gazmor dhe kënga në gojë. Sa, nga që nuk i di emrin, duhet t’i them: Shofer Kënga. Iu afruam Shijakut dhe ia tha: “Mora rrugën për Shijak/kush ma din kët hallin tim. . . Dhe, kur iu afruam Durrësit, ia valoi: “Për midis pazarit të Durrësit. . . “
Unë, natyrisht, këndellesha dhe vetëm qeshja. Thash me vete, të shohim kur të hyjmë në Kavajë, ç’këngë do shpikë? Kur ia tha, sa kaluam plepat: “Bubullin tek shkëmbi i Kavajës. . . ” dhe, sa mbaroi këtë ia nisi asaj këngës së Sulë Kavajës që”gjallë në dorë s’po bije. . “. Më tej”Çohuni djelmë shaloni atin. . . “dhe, ndërkaq, qemë afruar Gosës. Një çupë 14- 15 vjeçe na vuri dorën. Ou, – bëri shoferi, – ça ka bo vaki, se vetëm çupa kësaj ane s’dalin vetëm. Frenoi dhe i tha çupës: – Hajde ku don me shkue? – JO, jo, – tha çupa, – unë s’shkoj gjëkund, po më ka nxjerrë baba me ju thanë që të ktheheni me hangër fiq në bahçen tonë, se ndryshe më rref baba! ! ! – SI, – s’e mbajti të qeshurin shoferi dhe ca më shumë unë? ! – Baba im, – shpjegoj çupa, – është hoxhë dhe më thotë se është sevap me u dhanë njerëzve nga bahçja, prandaj dhe më ka nxjerrë këtu se fëmijë tjetër nuk ka. Shoferi zbriti tërë qejf, kurse unë i thashë: – Unë jam nga vendi i fiqëve (Mbrostar- Ura ku banoj ka qenë furnizuesi më i madh mefiq e rrushë jo vetëm i tregut lokal, por dhe më tej) , po pres këtu, në hije. Shkoi shoferi i prirë nga çupa e të zotit të shtëpisë (hoxhës) dhe, pas pesë minutash u kthye. – Pse kaq shpejt u ngope? – e pyeta unë. – JO, – më tha, – do mbush këtë arkën se e di sa ka apo jo? Dhe, pasi e mbushi, vazhduam rrugën. Entuziazmi i tij ishte shtuar edhe më, por nuk iu ndenj pa thënë: – Ja, ky hoxha i Gosës, më bën që edhe në nuk e besoj zotin, nga ky ta besoj. Çfarë njeriu! Ku me i gjet këta lloj ropësh se. . . Në RRogozhinë, u ndava me shoferin, por as atë këngëtar të lindur, por as hoxhën e panjohur nuk i harroj. Hoxhën e kam sjell në mend, sidomos në vitin 1967, kur plugu ideologjik u ngul jo vetëm mbi objektet fetare, por edhe mbi klerikët. Thosha: – Mirë bahçen ia kanë marrë, por ç’do ketë ndodhur me këtë Njeri bujar e shpirtmadh në atë kohë kur”
të gjithë u ngritën për të shkallmuar çdo gjë të vjetër (dogmat fetare, me demek) “. Dhe ja pse më mundonte kjo pyetje. . .

* * *

Në vitin 1967 kryeja shërbimin ushtarak në Shëngjin të Lezhës. Ishte mbajtur fjalimi i 6 shkurtit 1967 dhe më 2 mars 1967
u mbajt ai që u quajt”Kuvëndi i dytë i Lezhës”, për anologji të Kuvëndit të parë të Skënderbeut më 2 mars 1444. Mbledhur gjithë Lezha me fshatrat për reth dhe kuvëndi u bë në natyrë të hapur. Mu tek oborri i kishës (në atë kohë) ka qenë në të majtë të rrugës kur shkoje për Shkodër. Ngjitur në një faqe kodre (aty, aso kohe, ishte dhe spitali i Lezhës) mbledhur gjithë ai popull. Para se të fillonin diskutimet (ku do kryqëzohehin dogmat fetare) , komisari më kish caktuar që të mbaja një farë leksioni kundër fesë, natyrisht. Prashita sa munda dhe, pse ta mohoj, isha dhe entuziast në këtë mision dhe as nuk vija re që më dëgjonin a s’më dëgjonin. Kur mbarova, m’u afrua frati (të më falni se nuk ia mbaj mend emrin) dhe më tha: – A komisari të ka than njiashtu? Unë: – Nuk ka nevojë me m’than komisari! Ai: – A çohesh nji fije n’kamb? ! U çova se ishte i moshuar krahasuar me mua, djalë 24 vjeçar atë kohë. Të lutem, – vazhdoi frati me politesë, – hapi krahët. Dhe unë i hapa. – E shikon vedin, – më tha frati, – tash që i hape krahët a je kryq? PO ke lindur kryq, more ushtar, kështu i thuaj komisarit. Mua sikur më hodhi njeri ujë të ftohtë në shpinë dhe, sa do të vazhdoja debatin me të, më tha: – I thuaj komisarit, ushtar, kur të prodhojë fabrika farën e tokës, atëherë i thuaj që nuk ka zot. Tani sikur më hodhi në tuç. Por nuk mbaroi këtu kjo mesele. U bë kuvëndi, u”demaskua” feja dhe frati me gjithë fenë, iu dërgua telegram “solidariteti” ideusit të këtij”kuvendi historik” dhe, në finale, zbritën disa veprimtarë drejt e tek shtëpia e fratit. Ishte në mes të një bahçeje të bukur (në krah të djathtë të rrugës kur shkoje për Shkodër) . Nuk di po kjo bahçe kaq e mirë më çoi në mend atë bahçen e hoxhës së Gosës të”kthehu ha fiq se më rreh baba! “. Dhe në shkruaj për këtë bahçen e fratit të Lezhës, e kam një shkak. Në mes të bahçes ishte shtëpia vilë e fratit. Mbi çati një kryq i madh. I thanë, pas kuvendit, Dom, hiqe kryqin prej shtëpisë. – Jo, more, as kam për ta heq unë ndonjherë atë prej tujit. – Si, ithanë, nuk e heq? ! Kur, pas këtij kuvendi? ! Atëherë urdheruan disa të rinj: – Ngjituni dhe hiqeni! Dhe e hoqën. Dhe ai, frati: – A e hoqët, a? U thojni atyre partiakëve në Tiranë se kryqin unë e kam çetu- dhe tregoi zemrën. Qëndrimi i atij frati s’më hiqet nga mendja. Të nesërmen, fratin e arrestuan. Dhe nuk di se si i vajti filli. Por ato replikat me mua dhe ajo “çetu” më mbetën në kujtesë e sot e kësaj dite.

* * *

Kur dola unë mësues, në prag të viteve ‘60, të drejtat për të vazhduar shkollat apo bursat e tyre i kishim ne si shkollë. Kriteret ishin që të drejta do merrnin nxënësit më cilësorë dhe, duhet të ruheshim, që mos shkonte në shkolla ndonjë”armik”. Nuk inkurajoheshin edhe birët e klerikëve (se supozoheshin si kundërshtarë potencial të regjimit) . Mirëpo bursat ndonjëherë ne nuk arrinim, me të vërtetë, që t’i realizonim për shumë arsye. Në shkollën ku jepja dhe unë mësim, kisha dhe çupën e priftit e cila, ishte shumë cilësore. Prifti e dinte se, sado që çupën e kishte me nota pesa (nota më e lartë për vlerësim) nuk shpresonte që të merrte ndonjë bursë. I them unë: – Papu, po ta rregullojmë tët bijë, shtron ndonjë darkë (ishte shumë mikpritës. Dhe i kamur në atë
kohë krahasuar me bashkëfshatarët) . – Në vend, – ma priti. Ne ia dhamë së bijës bursën, por prifti ishte burrë i zgjuar dhe nuk ia hante qenin shkopin kollaj. I them unë: – Papu, ne si shkollë, e bëmë punën tonë, por ti nuk po e zbraz? Ai: – Pse ti, një copë dhaskaluci (e kish me të qeshur, sigurisht) më bëre nder, ma bëri partia epunës, babam. Dhe ia dha të qeshurit. Ëhë, – më thoshin fshatarët mua, – ashtu bën ai, po kur të futesh atje do të marrësh vesh se sa mikpritës është. Dhe ashtu ndodhi me të vërtetë. Më mori për darkë me gjithë drejtorin dhe në shkruaj tek kjo rrëfenja, e kam një arsye. Na priti me duar në qafë, me gjithë të mirat. Ishte gati që t’ia merrte dhe valles nga gëzimi dhe bënte një muhabet që atje dhe s’e gjeje kund tjetër.
Natyrisht, të gjitha unë nuk i mbaj mend (kanë kaluar plot 47 vjet) por dy nga atë rrëfime të atij prifti aq të zgjuar dhe me humor, do t’i tregoj edhe për ju.
Më erdhi një mik i panjohur, – rrëfeu ai, – trokiti dhe dera e shtëpisë është e mikut dhe e zotit. I panjohur, por nevojtar. E zuri nata dhe kabull mysafir. E prita me gjithë të mirat. Aty, nga mezi i rakisë, më thotë: – Papu! Po të bësh një gjynah sot, kur e vuan? Unë, pa menduar gjatë, ia kthej: – Pas 40- vjetësh! Dhe vazhduam të pimë. E pashë që ndryshoi çehre dhe e ktheu me plot. Unë po shok doja. Mirë, o mirë, po duket e teprova. Dhe më vuri poshtë. Ai, kur pa që më zuri kjo e flamosur, një të dalë thoni ju, drejt e në haur dhe më merr kalin. Zgjohem unë në mëngjes. Shikoj për mik, s’ka. Dale, – thashë, – mos ketë shkuar atje (në hale, se jashtë i kemi, de, ato! ) , por jo. Kur shoh haurin, dera gjysëm hapur. Kali mungonte. Oh, – thashë, – paska qenë hajdut! Pastaj më shkoi mendja që kali im, nuk mbante njeri mbi kurriz veç meje. Kalë i sert, nopran, thuaj. Kish rënë një vesë shi dhe dukeshin patkonjtë e kërrit tim. Më kapi një gulç i keq, se e doja kalin. Shikoni papun, – tha, – larg e tutje po malli është i dhimbsur. Gati si evlati! ‘Çfarë t’ju them? Them me mendje: nuk e ndoqa pas gjurmëve se kali im nuk mban njeri në kurriz. Dhe ashtu bëra. Si eca, pothuaj nja një orë, kur e gjej. Miku po shkumonte. Ulërinte nga dhimbjet dhe kali po kulloste. – Uratë, – më tha”miku”, – më more nëqafë! – Pse? – i thashë. – Më the pas 40- vjetësh dhe po e vuaj sot! ! ! JO, – ia prita, – nuk është gjynahu im, e ke bërë para dyzet vjetësh i thashë. Dhe, sakaq, mbaroi. Lajmëruam në pushtet. Erdhën nga larg dhe morën kufomën. Na rrëfyen që hane bir vetëm me vjedhje merresh. Dhe e pagoi një ditë. Epo gëzuar, – na u lëshua mua dhe drejtorit, – nga ju s’kam frikë. Dhe qeshi. Por ky njeri kaq i mirë, klerik shumë i zgjuar, pati një fund të keq. Kur ua morën të gjitha, u hoqën mjekrrat dhe i çuan të punonin derrçe për të shlyer”gjynahet”.
E, – më thoshte, – i pashë bathët unë që tregonin prapësi, por s’thoshja dot. Pse? – e ngacmova unë. Si i pe? Dhe ai: – Kam kaq e kaq sene që e bëja këtë punë. Për të gjitha, s’të tregoj dot, por atë
që më ndodhi me Petro Fundin do të tregoj. Ky, Petrua, ma kish shtëpinë mu në buzë të lumit të vjetër (të vdekur- sipas Jakov Xoxes) . Si mënjanfshatit që ishte, shpezuri plot. Shtëpinë vërtet ma kishte të mbuluar me kashtë, por shpezuri të fsushës do ti, të ujit po se po. Dhe rronte mirë, ore babam. Shkoja unë për data të shënuara tek Petrua, kaçilen me vezë dhe o një patë a rosë me vete. Për të ngrënë plot. Por ja vendosi Petrua dhe na bën shtëpi të re. Me tulla dhe mbuluar shtëpia me qyramidhe. Oxhaku që atje tej, lyer me bojë që të binte në sy. Dhe më fton mua. Gusht qe- e mbaj mend mirë- dhe më fton mua: – Hajde, papu, dhe më kungo shtëpinë e re! Vajç! Domosdo që do vija. Kur Ç’të shoh, e shoqja, Vara, më nxjerrë për të ngrënë trahana? ! Unë po as që e kapa lugën me dorë. Petrua: – Urdhëro, papu, dhe ma kungo. Dhe unë (epo si do ta gjeja belan, xhanëm? ! ) se nuk më rri dhe goja e shkrete: – Sa pate shtëpinë me kashtë, të dinte goja ç’të hashë!
Shtëpia mbuluar me qyramidhe, m’u bë goja aguridhe! Oxhaku lyer me bojë, ç’mut të vësh në gojë? Po pse, O Petro, po hahet trahanaja në gusht? ! Dhe ika që thuaj ti, por që aty e vura matën. Po vinin kohë të flamosura për ne. Do hanim trahana në gusht. Dhe qeshi në mënyrë kuptimplote. Dhe kështu e sosi jetën ky miku im (pra hëngri trahana në gusht) që tani nuk rron më.
Por ja që ne harrojmë shpejt dhe kjo është arsyeja që dhe pse kemi ecur (dhe vazhdojmë të ecim) si gaforret. Vetëm së prapthi. . .
Në i mblodha këto tri rrëfenja në një, e bëra për të kujtuar ata klerikë që diktatura i maskaroi jo vetëm moralisht, por edhe fizikisht.

Përparim Hysi, 24 qershor 2007 (për ”peshkunpaujë”)


4 Komente »

1.
blete thotë:

26 Qershor 2007 @ 4:32 pm

rrefenja te lezetshme. sado qe une jam femije i vonshem dhe figura e klerikut fetar ishte katandisur ne karikature kur fillova te merrja vesh nga bota

2.
Grizhda Emily Ann Zabar thotë:

26 Qershor 2007 @ 4:47 pm

Me kujtoi rrefenjat e gjyshit… edhe gjyshi im pak vite para regjimit, nga varferia e kishin marre fratet per te studjuar ne kishen e tyre… dhe gjithe kohes e kane patur nen shenjester…

3.
doriani thotë:

26 Qershor 2007 @ 5:43 pm

z perparim po shfrytezoj rastin t’iu jap pergezimet e mia me te sinqerta dhe te plota per hapjen e temes se paradisakoheshme qe kishte te bente me kujtesen e viteve te persekucionit.komplimentet e mia ne rradhe te pare per kendveshtrimin me te cilin e kishit pare dhe me erdhi keq qe nga sa lexova,komentet kishin qene ose te” bardha” e ose te “zeza”.Personalisht mendoj se te tilla tema,te hapura me delikatese dhe pa urrejtje ndokojne ne krijimin e ndergjegjes kombetare dhe asaj civile,per te cilen mendoj se kemi nevoje.me erdhi keq qe s’mund te merrja pjese ne diskutim,por e quajta me vend t’iu shfaq mendimin tim,duke pasur parasysh se rrallhere jam entuziast rreth nje ceshtjeje .me respekt,doriani

4.
Dori thotë:

27 Qershor 2007 @ 6:28 am

Faleminderit z. Hysi, më pëlqen shumë stili i tregimit që keni. Vërtet mbani mend tërë këto imtësira pas kaq vitesh?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s


Këtë e pëlqejnë %d blogues: