“Ç’të bësh. do ta bëjnë! “
Populli
Qe vjeshtë e parë e vitit 1966. Kisha dalë, si zakonisht, të merrja postën e repartit. Ushtrinë e kam bërë në Shëngjin, qytezë e vogël aso kohe, dhe, nga vendësit, unë, ushtar në ato kohë njihesha, pothuajëse, nga të gjithë. Shpërndaja edhe fletë – thirrjet për zbor për gjithë civilët dhe puna ma donte që të trokisja në shtëpitë e vendasve, më shumë se disa herë në vit. Po të llogarisësh që këtë punën e korrierit e bëra për tri vjet me radhë, kuptohet, edhe pse isha kaq i njohur në një qytezë aq të vogël të asaj kohe. Domosdo, nuk kam si e mohoj, edhe dashamirësinë e përgjithshme që kishin ata vendas aq bujarë për ne jabanxhinjtë(ku hynim edhe ne, ushtarët). E, pra, kisha dalë për të bërë atë ritualin e përditshëm dhe, patjetër, do ndaloja për të pirë një kafe tek klubi i vetëm i qytezës. Por atë mënjges shtatori(se mëngjes qe) , për çudi, ndryshe nga herët e tjera, njerëzit sikur e kishin prerë atë harenë e zakonshme dhe, sikur flisnin nën zë.
Diçka kish ndodhur:se i shihja që flisnin kokë më kokë dhe dikush shpejtohej duke marrë ndonjë paqetë “Partizani”, pa lëshuar atë përshëndetjen e zakonshme:si keni njeh, burra? ! dhe duke dalë po me atë shpejtësi që hynte.
– Çfarë ka ndodhur? – pyeta një plak të vjetër, jugor ky, që nuk di pse era e jetës e kish vërvitur deri në Shëngjin.
– Pse, a nuk e ke marrë veshë? – m’u kthye po me pyetje ai.
– JO!
– Si jo? – Ndrekës. Ndrekë Prelës atij që punon në port, – e njeh apo jo?
– Si nuk e njoh?
– E, pra, Ndrekës, i ka rënë djali i vetëm nga fiku, pikë e vdekur.
– Bobo, – shfaqa keqardhjen unë. Dhe, ç’është më e keqja, – vazhdoi plaku, – e shoqja e Ndrekës nuk lind më fëmijë. Epo, kot nuk thonë:peri ku është i hollë, shkon dhe këputet. Më ardhka keq. – i thashë unë. Ndrekën jo vetëm e njoh, por me të kam pirë disa herë kafe dhe, sado që banon në X. . . , do t’i shkoj për ngushëllim. Të të bëhen të mira dhe të ta kthejnë në gëzime, më tha plaku Hidajet. U ndava me të dhe rihyra prapë në klub. Aty mora një paqetë dhe u nisa që të zë autobuzin për në Lezhë. Sa zbrita në Lezhë, po merrja rrugën për X. . . , kur ballë për ballë me Lacin(Lac Ismail Dushkun- të vetmit zborist që kurrë nuk ia harroj emërin dhe me të cilin ju kam njohur ne tregimin”Me krahëmarrje punës! “). Ou, ushtari! – bërtiti Laci. Kuptohej që pas fjalës ushtari, isha unë i gjithi, që shpërndaja thirrjet dhe i pajisja me fletë- zbori. – Por si ke njeh, mor burrë? dhe, sakaq, më përfshiu me ata krahët e gjatë dhe, pse ta mohoj, të ngrohtë. Ishte mirënjohës dhe shumë bujar. Hajde, – më tha, – po ta qes axha yt nji kafe a, po s’të folën ata të komandës, dhe nji nga ato ballë kazanit se e kam mik atë bufetierin, – më tha.
– T’u rritë ndera! (u mundoha t’i afrohesha të folmes së tij), por jam me ngutë, – i them. – Por, hajd, more burrë i fortë, se nuk po na vjen kushi me na shpall luftë që qenke me ngut, dhe i dha të qeshurit. Pret, more mik, ajo puna e Fletëthirrjeve dhe, digjo Lacin , po pate për tek fshati jem, po ta kursej rrugën.
JO, – i them axha Lac, por jam tuj shkue tek Ndreka. A ke ndie ti çfarë i ka ndodhë, a jo?
– Aha, tek Ndreka, për gjamë, – tha po pak si përhumbësh. Dhe befas sikur ndërroi çehre. I iku ajo pamja e qeshur që e kish si të skalitur në ballë, e ndezi për hesap të vetë dhe, ndërsa tymosi mendueshëm, më tha:- tek Ndreka, a? Po gjamë e madhe, or ti? Ani, ani. . . dhe ndërpreu. – Axha Lac, – i them, – pse e ndale fjalën? E, jo- jo, – bëri ai sikur përhumbi, – por ti çapu- çapu se nga gjama, nuk duhet me u kthye, sido me qenë.
E pashë që diçka kishte në këtë mes. Ani, ani, – vazhdoi ai, – por hajde njëherë sa me mbledhe veten. e ktheje një godë tek Luigji(bufetjeri) e, mandej, shko në X. . .
Hymë brenda dhe Laci, sa bëri toka me Luigjin, bëri dhe porosinë. E shihja që diçka donte të më thoshte, po guronte. – Axha Lac, përsëdyta, diçka do me më thanë, por po ndalesh. Ça ke me m’thanë, para se të ikë. Ai mori godën e qoku me timen dhe, pasi e ktheu me një frymë, filloi:
– Eh, gjamë e madhe kjo e Ndrekës. Ça me të thanë vedi, more ushtar! Digjo Lacin, njitash! Ka qenë aty nga viti 1950. Aty në fshatin e Ndrekës e kanë prue nji familje andej nga jugu si të internueme. Nji grue, veshur me të zeza kjo. E kishte dhe nji djalë, rreth 17 vjeç ky djali. Të atin ia kishin vra si armik dhe familjen internim. Këta të jugut në veri dhe të veriut në jug. (”ustallik”më tha si në veshë, apo jo). Kjo gruja na kish edhe dy dhi. Me ato e mirrte nga një pikë t’ambli me mbajt frymën gjallë.
Kish a nuk kish nji muej në fshat dhe porosia qe, me e maltrajtue ket familje mjerane dhe as mos i jepnin dhe as mos merrnin gjë soje. Ça me i marr veç shpirtin. I dhimbje dhe gurit dhe drusë kur e shihje. Kish prej fshatit që edhe donin me e ndihmu, por tuteshin, valla, se sigurimi i kish sytë hapë dhe cuba shtiranësh kish plot edhe në fshat. E ça me të thanë Laci ty! Kur qe, na i shpëtojnë dhitë këtij mjeranit(djalit te asajplakës)dhe drejt e në bahçe të Ndrekës. Pra, të Ndrek Prelës ku ka ndodhur gjama sodi. Ky, Ndreka, burrë në vakt në atë kohë, por dhe merakli pas pemëve, i paska aty edhe një fik që ka gjethnue mbarë, se pranverë ka pas kenë. Hyjnë pra dhitë e drejt dhe e kanë hangër gjethesh edhe bisqesh atë fik. Ka dalë Ndreka dhe”kuku”, – ka thërrit si grue. Se merakli i madh ky për pemë, ushtar! E ka rrëmbye një qysqi hekurit që ka gjet aty per reth dhe matet me shti mbi dhi, kur(prite Zot rezikun! – këtu Laci bëri kryqin)asht rrëfye i trambun, rrezikziu, ai djali i asaj plakes. Dhe Ndreka ka gjuejt në qysqi bash mbi krye të tij. Ia hapi kafkën dysh atij njome mjerit! Çfarë krimit, mor ushtar! Edhe nji qen nuk vritet kështu dhe jo një njeri. Për një fik, e vrau atë fakir të shkretë dhe ia thau votrën asaj dritëzeze. Dhe a ndjen ushtar? Djali ishte plot 17 vjeç! Dhe e vrau për një fik. Por Zoti, – vazhdoi Laci, – lart është, po poshtë shikon. Mban shënime, o ushtar! 17- vjeç është dhe djali i Ndrekës që ra sot nga fiku. Nga ai fik që, Ndreka, e ruejti dhe e rimbolli aty në oborr. Ç’të bësh, ta bëjnë, ushtar. Ndonjiherë e dhe ta teprojnë. Por, ani, ti shko, shko tek Ndreka. Se gjamë e madhe, or ti. Veta, qebesa, nuk e mbaj dot atë gjynah në kurriz. Se, si mund të vritet njeriu për një fik, ushtar? Ibani Ndreka do vjete burg. Por doli opet. E te tjerat, i mer vesh. Por ti. . .
Dhe unë jo vetëm që nuk shkova, por paqetën e vërvita në Drin sikur me këtë akt doja të çlirohesha nga kjo ngjarje sa e dhimbshme, po aq dhe të llahtarshme. Rrugës për në repart. më ndiqte ajo thënia e Lacit:”Çfarë u bën ti të tjerëve, do ta bëjnë të tjerët ty. Ndonjherë edhe ta teprojnë”. Të jetë e vërtetë? . . .
Përparim Hysi, Shëngjin, shtator 1966.
15 Shtator, 2007 te 10:42 pm
E lexova tregimin tuaj. Me shtyu me shume per faktin qe ngjarja ka ndodhur ne Lezhe, sepse une jam lindur dhe rritur atje, packa se origjina e prinderve te mi eshte nga vl. Duket dhe nga ekperienca juaj ushtarake qe keni patur mbresa te mira per ate vend dhe une do thoja sic ke permendur dhe ti qe jane vertet njerez bujare dhe shume mikprites.
Tani per t’ju kthyer tregimit tuaj qe ishte shkruar shume rrjedhshem dhe lexohej pa ndonje problem. Madje po qeshja sepse ke perdorur tamam gjuhen e veriut qe per mua eshte shume e bukur.
Shprehjen qe ka perdorur Laci eshte shume e vertete. Ne fakt une e kisha vendosur para ca ditesh ne blogun tim, (jo ky me te cilin po shkruaj), dhe tani qe e lexoj dhe ketu me kete histori bindem akoma me shume, se kjo shprehje ka nje domethenie te madhe.
Respekte.