Archive for the ‘histori’ Category

Rune “Eksiqi”

8 Qershor, 2007

E quanin Harun, po shkurtimisht i thërrisnin Rune. I mbeti kështu dhe kaq! Por ai”Eksiqi”, mendoj unë, i mbeti kot së koti? ! Kot së koti , po vajti dhe shkoi. Se paranomë e pati, por ke parë ti, iu ngjit si me tutkall dhe, sado që u rrit, i thonin po ashtu: Rune Eksiqi! Por kësaj i thonë që ta pësosh kot fare, se kot fare e pësoi dhe Runia.

Dhe ja se si ka ndodhur:

Gjyshi i Runes, Kasëmi, ishte duke krasitur hardhitë. Ai krasiste dhe nipi, Runia, lozte aty nëpër këmbët e gjyshit. Ndodhi që ato të shkreta gërshërë e “kafshuan” gjyshin në gisht dhe i vërshoi gjaku. Sakaq dhe gjyshi i thirri: -Rune, nxirre bilen shpejt dhe përmirre gjyshin këtu(gjyshi shënoi vendin nga zbriste gjaku). Runia qe i vogël, rreth 5-vjeç dhe, sado e çuditshme që iu duk kërkesa e gjyshit, bëri ashtu siç i tha ai. Por. . . dhe këtu fillon taksirati për të. Për Runen, pra.

Kish kaluar nja dy muaj nga kjo histori dhe në shtëpinë e Runes bëhej një gosti(mbledhur farë e fis, miq, burra e gra)dhe Runia, tek lozte, do ti që të rrëxohet dhe një copë xham i preu gishtin. Duke qarë nga dhimbja, dhe ca se u tremb nga gjaku që i pikonte, vrapoi në odën e miqëve dhe iu drejtua gjysh Kasëmit: -Gjyshi, nxirre shpejt bilen dhe përmirre Runen këtu? ! Ndërsa gostiarët ranë përmbys me këtë çiltërsi të Runes, gjysh Kasëmi, i mbuluar me turp nga të ftuarit, i bërtiti: -U lanet paçë, more eksiq! Se eksiq dhe kaluar eksiqit je! Dhe kështu nga ajo ditë i mbeti kjo nofkë dhe mezalla se iu nda. Sa, për mua, që e kam njohur dhe kam qenë moshtar me Runen, them që ai vetëm eksiq nuk qe. Po qe i çiltër dhe gjërat i thoshte ashtu, hapur. Ose të paktën i thoshte ashtu si i mendonte. As nuk fshihte gjë, edhe sikur kjo gjëja që do tregonte ta ngarkonte me faj. Kur them kështu, jam dëshmitar jo vetëm unë, por dhe të tërë ata që e kanë njohur Runen.

Ishim në klasën e parë. Ka qenë viti 1948. Epo do të thoni: -More histori do bësh a si? Jo vitin e theksoj për diçka tjetër. Për t’ju treguar juve, lexuesëve, se ishin vitet e pasçlirimit kur, të sapodalë nga lufta, fshati(dhe jo vetëm fshati) përjetonte një varfëri të pacakë. Unë, për veten time, dhe jo vetëm unë, shkoja në shkollë, shpesh, edhe zbathur. Edhe Runia po kështu. Se dhe ai i varfër qe. Mësuesen e kishim si kartolinë: të bukur po, të mirë e të dashur që çfarë të thuash! Dhe kjo, mësuesja, kish një të mirë tjetër: na trajtonte si të ishim fëmijë të saj, por ishte edhe kërkuese. Sikur një ditë të mungoje në shkollë, do të ngrinte para klasës(ne e quanim qamet të madh këtë)dhe të bënte një si gjyq të vogël. Dhe, të thuash të drejtën, kurrë s’mungonim në shkollë, veç në rast të ndonjë sëmundjeje. Por ja një ditë nuk erdhi në shkollë Runia. Të nesërmen, mësuesja e ngriti Runen para klasës dhe filloi ta pyesë: -Pse nuk erdhe në shkollë dje? Runia që kurrë s’rrinte pa kthyer përgjigje, këtë herë s’po fliste. Dhe kur mësuesja e ngriti zërin ca më lart duke i mëshuar asaj pse. Runia e “zbrazi”:

-Nuk erdha se nëna më lau brekët! ! ! Ne ia dhamë të qeshurit, kurse mësuesja u skuq sikur të kish bërë faj, i tha: -Mirë, shko dhe mos mungo më. Dhe Runia, për herë të parë me kokë të varur, u ul pranë meje. E pse qenkësh eksiq, pse thoshte të vërtetën. Po ja e tillë qe ngjëndja në ato vite sidomos në fshatra. Po nuk mbaron këtu kjo histori.

Të nesërmen, Runia u nis për në shkollë. Mësuesja, sado që qe nga qyteti, flinte në shtëpinë e një bashkëfshatarit tonë. Mu aty tek shtëpia ku flinte mësuesja, Runia, pa varur në tel rrobat e lara të mësueses. Ou, -mendoi Runia, -s’paskemi shkollë sot, se mësuesja paska larë brekët? ! Dhe u kthye në shtëpi. Mësuesja, pasi bëri apelin, pa që Runia mungonte prapë. -Do ta shihni, -tha ajo, se çfarë do t’i bëj nesër! Erdhi dhe e nesërmja dhe Runia krejt i qetë u ul pranë meje. Kur mësuesja e pa, i tha: -Pa dil pak këtu para klasës. Tani më trego pse nuk erdhe dje në shkollë? Dhe ai: -Jo, mësuese, unë erdha. -Si, erdhe? -s’i udurua asaj. Dhe , menjëherë, u drejtua nga ne: -Qe dje në shkollë Runia? Ne, njëzëri: -Joooo! -E sheh, -tha mësuesja, -nuk ke dhe turp , po vjen dhe gënjen. Jo, nësuese, -tha Runia, -për kokën e nënës unë qeshë(ky qe betimi më i rëndë për ne aso kohe), por kur kalova tek shtëpia e Shefitit(ku rrinte mësuesja), pashë që ti(Runia, se mos ne, s’dinte të fliste në shumës) kishe larë brekët dhe thashë: Mësuesja ka larë brekët, s’paskemi shkollë sot. Dhe u ktheva. Ndërsa uturimë nga të qeshurit, mësuesja mënd po digjej flakë nga turpi, dhe, ashtu, e skuqur i tha: -Shko, ulu në vend.

Dhe ul në vend Runia që, kot së koti, pse thoshë të vërtetën i thoshin eksiqi.

* * *

U rrit Runia dhe, pas ushtrisë, i paska thënë gjyshi: -Rune do të martojmë. Dhe Runia: -Unë e begenis nusen edhe çupë po të jetë? !

Gjyshi ia dha të qeshurit dhe i tha: -Po kur të thonë eksiq, ti më je brinxhi nga mendja! E martuan, por ja, kjo eshkretë martesë, nuk i eci mbarë. Nusja, siç duket , e tradhëtoi dhe Runia, i drejtë siç ishte, iu drejtua gjykatës për ndarje. Gjykatësi, në gjyq e sipër, e paska pyetur Runen: -Përse do ta ndashë gruan? Dhe Runia: -Se e pashë që po puthej me një botë(nuk zinte emër në gojë, se qe i ndershëm). Gjykatësi: -Punë e madhe se po puthej, nuk është arsye kjo për ta ndarë. Runes i hipën: -Mirë, more shoku gjykatës, kur s’qenka punë e madhe kjo puthja me një bot, sillja atë gruan tënde Runes që ta puth se nuk bëhet qameti? ! Gjykatësi, sikur ta kish kafshuar diçka papandehur, kërceu përpjetë nga karrika dhe komnikoi: -Për ofendim të trupit gjykues, Rune”Eksiqi”(po kur i tha dhe ky Eksiqi, pa? ! )dënohet me 6-muaj burg. Dhe kështu jo vetëm e dënuan Runen, po i bërë kokërr për kokërr ca në Bulqizë dhe ca në Borsh. E morën më qafë dhe, siç më tregoi kur doli nga burgu(kish katandisur gjysëm njeriu)në Bulqizë, kur s’bëja normën, më zhvishnin gjysëm lakuriq dhe, mbasi m’i shkelnin dhunshëm me këpucët alpine këmbët e zbathura, më vinin në një qeli që pikonte. Dhe, duket atje mori ftomë të rëndë.

Dhe vdiq i ri Runia i shkretë. Që veç eksiq nuk ishte. Paqe mbi varrin e Runes, të mirit, të çiltërtit deri në paharrim. Amen! . . .

1. eksiq(tur. )-i mangët

Përparim Hysi, qershor 1987

Profesori

25 Maj, 2007

Përparim Hysi 1999-2007

(mësuesëve të mi në ish-Normalen e Elbasanit)

Unë s’e arrita profesorin për ë cilin duhet t’ju rrëfej, por ia vlen të shkruash për të. Kur unë qeshë nxënës në atë shkollë, në mes të viteve ‘50-të, profesori i nderuar kishte dalë në pension. Sidoqoftë, ngjarja për të cilën do t’ju tregoj, e lartëson atë. Dhe jo vetëm atë! Se ai ishte vetëm njëri nga ata mëSues aq të nderuar që, veç formimit të lartë kulturor, rrezatonin disiplinë, egzigjencë dhe, sa për tundim, thyerje nga ndjenjat sentimentale, as që i njihnin. Ishin sa të ashpër, aq dhe njerëzorë. Prej tyre nuk merrje vetëm dituri, por mësoje se si të rriteshe si njeri. Fomimi i tyre me kulturë perëndimore të vinte në ngasje dhe, doje s’doje, do ta hidhje”vallen” pas muzikës së tyre që, gjithësesi, qe një”muzikë” , me të vërtetë, e bukur.

Në po e lë pa emër profesorin, e kam bërë enkas. Për arsye subjektive dhe objektive. Por, pavarësisht kuturisjes sime, them që ia vlen që ta njihni dhe ju se çfarë ka bërë ai. Them ia vlen se-dhe kjo më shtyti të shkruaj- shihni se ç’ndodh me shkollën në Shqipëri dhe me arsimin në përgjithësi. Kur pashë që sado që ministria, për provimet, mobilizoi, gjasme mësuesët më të zgjedhur në Shqipëri, dhe, edhe me këta të zgjedhurit”ena eprovimeve” rrodhi, se pati nga këta të”zgjedhur” që u shitën badjava, atëherë m’u kujtua ky, profesori, dhe jo vetëm ky. Pra, figura e mësuesit është përçudnuar dhe, thuajëse, e ka humbur vlerën. Unë kam punuar si mësues për 41-vjet dhe këtë “degradim” të figurës së mësuesit e përjetoj me keqardhje. Dhe them me plot gojën: -Jo. S’kanë qenë të tillë mësuesët. Ata kanë patur dinjitet dhe, nëse ky dinjitet i tyre u përdhos, shkaqet të çojnë larg. Larg e lart! Jo larg e lart për tek Zoti, por larg e lart tek qeveria. Tek shteti! Ky, pra, shteti e denigroi figurën e mësuesit dhe e detyroi atë që të shitet për 5-aspra! Sidoqoftë, në mes asaj armate mësuesësh, ka prej tyre që jetojnë me shpirt në dhëmbë, por dinjitetin nuk e shesin.
* * *
Mirë pra! Profesori i tregimit tim kishte nxënëse, veç tjerash, edhe çupën e të vëllait. Kjo (e mbesa) ca se nuk e honepste dot lëndën e tij (jepte fizikën) , ca se këtë lëndë e kish me xhaxhanë, as që ish kthyer nga fizika. Shkurt: nuk mësonte. Profesori, gjithmonë, sa herë e kish ngritur e kish vlerësuar me notën dysh (vlerësimi si notë maksimale kish 5-ën) . Veç kësaj i kish tërhequr vëmendjen që të mësonte dhe mos kujtonte se ish e mbesa dhe do kish favore. I thosh ai, po çupa as e vinte ujtë në zjarr. Përfundimisht, e la për në vjeshtë dhe e porositi rrept. Në vjeshtë, kur pa, që cupa s’ish përgatitur, e la. -Do përsëritësh vitin, -i tha ai. E mbesa ia dha të qarit, se kurrë nuk e priste nga xhaxhai këtë mbetje në klasë. AsHtu, me lotë në sy, në vend të drejtohej nga shtëpia, e mbajti frymën nga Ura e Shkumbinit dhe, si la librin e fletoren mbi tokë, u vërvit në lumë. Atje janë gazermat e ushtrisë dhe një ushtar, tek ndjeu britmën për ndihmë (kontakti me ujët e kish kthielluar, siç duket) u hodh dhe e nxorri nga lumi. E çoi tek oficeri rojës dhe ky e shoqëroi për në Komandë të vendit (dega e mbrendshme më vonë) .

Komandati i vendit , një oficer me gradë të lartë, e mori në pyetje. Pasi e pyeti se pse i kish hyrë një aventure të tillë, vajza i tregoi shkakun dhe kur tha që profesori që e la, ishte as më shumë dhe as më pak, po xhaxhai i saj, u nxeh dhe dërgoi një polic që ta sillnin profesorin në fjalë urgjent aty. Shkoi polici, e gjeti dhe e futi tek zyra ekomandantit.

Komandanti: -E njeh këtë çupën? Profesori: -Si nuk e njoh? Kjo është çupa e tim vëllai? ! -Mbesa jote, ë? Pa pyete se çfarë ka bërë ajo? Prof. -Se çfarë ka bërë unë nuk e di, por di që e mora në provim, nuk kish mësuar dhe e lashë! ! ! -Po ti, mor profesor, nuk i vije dot një tresh? Sa për të kaluar klasën, se nuk do bëhej ndonjë qamet i madh? ! Prof: -Jo. JO. Unë nuk kualifikoj dot njerëz të paditur. Se, dëgjo komandant, po deshe të rrëzosh një vend nga themelet, kualifiko njerëz të paditur. Se i padituri mund të bëhet doktor dhe merr më qafë njerëzit; mund të bëhet ingjinier dhe rrëzon ndërtesat, urat etj. Por mund (këtu duket profesori u nxeh) të bëhet dhe oficer dhe shkatërron ushtrinë. Komandanti duket u shkund nga mendësitë e tij dhe hyri në ato të profesorit, ndaj i tha vajzës: -Profesori e ka mirë. Ky vit iku, mëso këtë vit që fillon.
Ja, të tillë ishin ata! Punonin jo vetëm me përkushtim, por rrezatonin në plotninë e tyre. Dhe, kur vinte puna, në mjedise argëtimesh me ne, ata tjetërsoheshin dhe bëheshin aq intimë, sa të dukej se kishe përpara miq të vjetër e shumë, shumë të dashur. Shkruaj me superlativa për ta, se kanë qenë modele të papërsëritshëm dhe, për secilin prej tyre, mund të shkruaj faqe e faqe të tëra.

Dhe si epilog. . .

Ju thosha që në fillim se kam qenë nxënës i asaj shkolle në mes viteve’50 dhe më sakt: maturant në vtin 1959. Mësuesët tanë qenë të gjithë të mrekullueshëm: që nga ata që na jepnin lëndët kryesore dhe deri tek ata që na jepnin shkathtësitë (vizatim, pundore, muzikë fizkulturë) . Dhe mbi atë ansambël mësuesësh të mrrekullueshëm, të arsimuar që të gjithë në perëndim, s’mund që të mos veçoj drejtorin e shkollës, Vasil Kamani, që qe jo vetëm një pedagog i madh, por dhe një drejtues që ka dhënë një kontribut të veçantë. Nuk është vendi këtu për të folur për të, po ky tregim do të ishte, pakësa, i mangut sikur mos shtoja diçka nga jeta ime në këtë shkollë.

Drejtori i shkollës kish një autoritet absolut para nxënësve, po se po, por dhe ndaj mësuesëve. Sado që numri i nxënësve ishte tejet i madh, nuk ma merr mendja që të kishte nxënës t’i shpëtonte vëzhgimit të tij. Se nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë e kalonte në shkollë apo në konvikt (ky ishte në të njëjtën ndërtesë me shkollë) . Duke ndjekur praktikën tonë pedagogjike, drejtori e kish pëlqyer punën time si praktikant (të më falin dhe lexuesët dhe bashkëshokët! Nuk vuaj nga kompleksi i Belul Gjeraqinës, por dua të jem sa më i sakt) dhe më thirri në drejtori, e më tha: -Hys (më thërriste në mbiemër) për gjithë shkurtin (1959) nuk do vesh në shkollë, se do bësh punën mësuesit në Ushtrimoren tonë se mësuese Manushaqja nuk do vijë në punë se është e sëmurë.

Kështu që unë u bëra mësues para kohe, por pa rrogë ama. Vetëm nuk shkoja në shkollë si maturantët e tjerë. Të them të drejtën-pse ta mohoj- sikur u përkëdhela në sedër nga ky vlerësim, se vlerësim ishte. Ndërsa shokët e mi bënin 6-orë mësim, unë bëja 4 dhe ndonjë ditë 5 orë. Mirë po kot nuk thonë se dardha e ka bishtin prapa. Dy ditë, pasi isha”bërë mësues”, puplat m’u bënë krahë dhe mend po fluturoja! Nuk flitej me mua! Vjen në orën 4 të mëngjesit kujdestari i konviktit që të na bënte zgjimin dhe për të dalë në gjimnastikën e mëngjesit. Ndërsa të tjerët u ngritën, unë, “mësuesi”, nuk u çova. -Çohu! -foli kujdestari. -Kush të çohet? Po unë jam mësues, s’e ke marrë vesh zotrote? -More për ç’mësues më flet? Do çohesh apo jo? -JO, nuk çohem. Do ikësh apo si e ke punën: Kaq ta mbësh dhëmbin, nuk çohem. Dhe nuk u çova. Kujdestari, priti sa vajti ora 7. 30 dhe frymën tek drejtori. Ai më thirri, më bëri për ujë të ftohtë dhe me autoritetin që i jepte rregullorja e shkollës, aty për aty, komunikoi para nxënësve: “Përparim Hysit i zbritet nota e sjelljes nga 5 në 4! “Unë, sa dëgjova këtë komunikim, u skuqa si kungull i pjekur në furrë dhe, në përlotje e sipër, para syve të drejtorit, u nisa për në klasën time, tek shokët. -Ku shkon? -më pyeti drejtori. -Në klasë, tek shokët, se tani nuk jam më mësues, se jam me notë të thyer në sjellje. -Jo, -ma preu ai, do shkosh të japësh mësim për tërë shkurtin dhe dëgjo: në konvikt të sillesh mirë se dhe mund të përjashtojmë fare. Dhe shkova. Sado me sjellje katër. Pra, si mësues me sjelljen katër, jam pak unikal: Ndoshta i vetmi. Po ku të falnin ata? Sa herë kujtoj këtë sjelljen time të thyer, më kujtohet Ladenaku tek “Viti ‘93″ i Hygoit. A nuk e dekoroi ai topçinë për heroiznin dhe për pakujdesinë e pushkatoi? Ja, të tillë ishin! Të jepnin aq sa meritoje. As më pak dhe as më shumë. Nderim dhe vetëm nderim për atë armatë aq të nderuar

Nga një qiri për secilin prej tyre se, mjerisht, shumica kanë ikur nga kjo botë. Sa për ata që janë ende gjallë, unë, sado që tani jam plakur vet, secilin prej tyre që do takoja, do t’ia puthja ato duarët e rreshkura që , njëherësh, sa fisnike janë aq dhe të dashura. Dhe njëherë, nderim. . .

Dërguar për”peshkupauje”më 25 maj 2007

Komente te bera tek peshku pa uje

1.
Flamuri Dori thotë:

27 Maj 2007 @ 1:08 am

Profesor ju rekomandoj të shihni këtë film:
http://www.imdb.com/title/tt0107474/
2.
Flamuri edrus thotë:

27 Maj 2007 @ 5:48 am

Ja pra qe paska patur njerez (dhe njerez me te vertete te larte) si profesoret qe s’punonin vetem per te mbyllur te tjeret ne KAFAZ (dhe ben mire Ypi qe t’i hedhe nje sy vete historise (ne kete rast, fjales se zotit Perparim) dhe jo te flase me ato qe ka degjuar… ne mitingje.
3.
Flamuri doriani thotë:

27 Maj 2007 @ 2:19 pm

egzigjence-jo shqip superlative-jo shqip.E bej me ndrojtjen qe me jep te korrigjuarit e nje kolegu,por per hir te asaj qe ti ke nenvizuar me keto kujtime me duhej ta thosha.
4.
Flamuri Pjer Thomas thotë:

27 Maj 2007 @ 5:14 pm

Vertet disiplina ne shkolla, athere ka qene e rrepte , pavarsisht se nuk na pelqente neve. Me mire disipline se sa rremuje/anarshi.
5.
Flamuri akull-naja thotë:

28 Maj 2007 @ 11:51 am

Profesor, tani e kuptoj tamam shprehjen “e beri per uje te ftohte”. 🙂 I lexoj gjithmone me shume kenaqesi shkrimet e tua; me kujtojne ato mbremjet pa drita kur gjyshi (dhe ai profesor dikur) tregonte te ngjara te vetat e te te tjereve…
Jave te mbare!
6.
Flamuri e.T thotë:

29 Maj 2007 @ 2:40 pm

tregimi i bukur Papi !
Ps: te kane gjetur thesarin 😀 http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=19501
7.
Flamuri ardi thotë:

29 Maj 2007 @ 3:10 pm

…tregimi, me verteton edhe njehere qe mesuesit e lendeve shkencore,nuk kane qene njerezor (te pakten ata qe kam njohur une ishin koncentrike)….
……..rruga qe zgjodhi prof seshte fare e drejte:….meqe e kishte mbese ai duhet te punonte me te jashte mesimit, ta mesonte, shpjegonte etj….vajza ishte e re dhe nuk mund te kishte llogjiken e nje te rrituri…ajo qe beri prof ishte gjeja me e lehte qe jo vetem une, por asnjeri sdo e bente per mbesen , ….
…..prandaj profesoret duhet te jene ne rradhe te pare njerez, pastaj shkenctare….e aq me keq nxenes….

..si tregim ishte i bukur
respekte
8.
Flamuri deni thotë:

30 Maj 2007 @ 11:48 am

Edhe mua me duket sjellje e ekzagjeruar. Eshte e veshtire te jesh njeri, gjithmone ka qene, dhe profesori zgjodhi me te lehten, pse fare mire mund te punonte, ta ndihmonte e motivonte ne nje menyre apo jo? Sa e sa nxenes gjimnazi jane shume te zgjuar por pa motivim per ate qe duhet te bejne? Shumica. Prandaj une e kuptoj qe profesori nuk te fal asnje gram me shume se’c meriton, por mund te beje qe te meritosh me shume apo jo
9.
Flamuri swed thotë:

30 Maj 2007 @ 12:06 pm

Pershedetje Papi, te kerkonin ketu http://www.emigrantipeshk.blogspot.com/
Hidhu nje vrap po qe se nuk e ke pare.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

As me qepë dhe as me hudhëra!

15 Maj, 2007

Kujtimit të Bacë Hasan Makës

Kisha vjete pa shkuar tek Bacë Hasani. Dikur një gardh na ndante me shtëpinë e tij dhe s’kish gëzim apo davet pa qenë tek njëri-tjetri. Kur them kështu, e kam fjalën për prindërit e mi, se unë, pothuaj, isha pakësa më i madh se Qemali, djali i madh, i Bacës. E quaj Bacë, se, kur zhvillohen ngjarjet e këtij tregimit tim, Bacë Hasani i kish kaluar të tetëdhjetat. Dhe në kisha vjete pa u parë me të, kjo ndodhte se ne kishim mbi 30-vjet që ishim larguar që aty, kurse Baca mbeti atje dhe, siç e shihni, sapo e takoj. Po kur do të thoni? !
* * *
Ka qenë pranverë e vitit 1989 kur shkova atje, tek ajo shtëpia e Bacës mbi një kodër dominuese në fshatin Petovë të Fierit.
Është një kodër, disi më e ulët se ajo ku është ngritur manastiri i Ardenicës(objekt shumë i njohur për një masë lexuesish) . Në po e përmend këtë, manastirin, e bëj jo pa shkak: nga shtëpia e Bacë Hasanit për tek manastiri në fjalë, po të ecësh mirë, do rreth 40-minuta, kurse nga kjo shtëpi për në Fier do të paktën nja tri-katër orë. E, ç’ta zgjat? Shkova i përmalluar dhe po me mall më priti Baca. Shtriu duarët e tij të gjata drejt meje dhe, tek më përqafi, më shtrëngoi fort sikur me këtë do t’më shprehte gjithë dashurinë etij. Se më ka dashur vërtet. Jo vetëm se u rrita aty, si komshinj që qemë, po unë, veç të tjerave, sado që ne ikëm familjarisht nga Petova, punova për 25-vjet mësues aty, dhe, s’kish se si mos bëja vizita të pashershme në folenë e vjetër. Pra, shpesh shihesha me Bacën

Por isha transferuar edhe si mësues, dhe, siç kuptohet, ndaj dhe takimi i kësaj pranvere qe me mbresa. Më futi në dhomën e zjarrit, ku digjesh për qejf një zjarr që ta donte shpirti, në këtë pranverë, pakëz, si të ftohtë. Aty, mbasi u ula, Baca, gjithmomë i kujdeshëm dhe i shquar për mikpritjen, më ofroi dy jastëk të mbushur me lesh për t’u mbështetur më mirë. Sa bëmë ato pyetjet e zakonshme, për shëndetin, për familjen, Baca tak dhe më zgjati kutinë e duhanit dhe, kur pa mosaprovimin tim, më tha:

-More, jaran, apo nuk je rritur ti? Prandaj edhe s’na mësojnë fëmijtë në shkollë, -shtoi duke qeshur, – se mësuesi është i vogël.

Dhe pasi e drodhi për qejf të vetë, e vendosi mbi cigarishten e gjatë, një cigarishte prej sërmi me filograma argjendi mbi të ku pjesa që vihej në gojë, qe prej qelibari. Cigarishtja tregonte për një terjaqi duhani dhe, pasi e tithi, sikur do të ngopej, tak dhe hapi televizorin. Në ekran tregoheshin pamje nga demonstratat paqësore në Kosovë. I shikoje pamjet dhe nuk kishe si mos alarmoheshe. Shantazhi mbi këta pjesëmarrës aq paqësor qe jo vetëm i llahtarshëm, por dhe i përgjakshëm. Goditnin pa mëshirë njerëz të moshave të ndryshme: burra, gra, pleq dhe ca më keq: dhe fëmijë. Baca, ca se ishe prej atyre anëve(kish ardhur familjarisht vet i katërt vëlla, dy nipoj të rritur dhe me një tabor fëmijë) ca dhe se i përjetonte ato goditje që s’ishin së pari, gati shpërtheu:

-Po shkjau, shkja asht dhe kështu ka me kan! Përnjime: mos kujton se ndryshojnë. Jo, lum miku, dinjo Bacalinë ti këtu, more jaran. Ani-ani, po ky magypi(e kish fjalën për RRahman Morinën, në atë kohë i plqyeri i Beogradit për Kosovën) nuk ka çajre pa pague haraç! Se, shiko lum miku, ka ca njerëz që nuk hahen as me qepë dhe as me hudra! -E, bash, nji aj, Rrahaman gabeli( endryshoi për mllef) ka me epague. Se kurrë asaj Kosovës loke s’ia kanë munguar trimat. Po, hej, -shfyu përsëri, -pritna zot rrezikun! Përnjimend ka me dalë atje, dobare, ndonjë Isuf? ! -A ke ndie për Isufin, a? -JO, bacali!
Oh, -bëri. Gati u korita. Mirë pra, Isufi asht i ati i Lutfos. Dhe pa pritur miratimin tim për Lutfon(në të vërtetë Lutfon e njihja dhe ekisha takuar në shtëpinë e Bacës) vazhdoi: -Ka qenë ky Isufi, dy metro burrë! Me të ra plisi prej koke kur po i shti sytë. Po trim? Shok veten. Ka pas ken me Azem Galicën dhe kur Azemi ka dek, ky, Isufi, ka ran kaçak dhe bë tmerr për qeverin aso kohe. Aq tmerr qe ba, sa po kërkohej me flori koka e tij. Po zihej rjolli(shqipja) . Ai po pyjeve, shpellave, maleve dhe, sakaq, grabiste karvane dhe ç’mertte prej tyre, darovë për të vorfër. Familja po kish ra në Shqypni e aj, i vetëm, atje.
Një ditë -bajram paska ken- ka xan vend pas një qivuni të lartë tek vorrezat, veshur tebdil, dhe po pret. Dikush ka me ardh ndaj s’e hup durimin, aj. Kur ç’po sheh? Dy serb(njihehin nga veshjet që larg) janë tuj ardh dhe rruga për aty i bie. E, aj Isufi, tuj prit. Janë tuj avit dhe po etjerrin mirë bisedën. Ç’ka po dëgjon? Po i thotë njani tjetrit: -More Vuk sot asht dita ebajramit dhe bash aty tek varrezat po ua bëjmë nga një mut të madh këtyne kosovarëve. Mirë e ke mendue, -ia ka prit tjetni, që, ça di veta ça po qe qujmë: hajd ta zam: Zuk. E than, e bajn. Aiii? PO pse nuk u shtie, more Isuf? E, ndërsa ulen, Isufi hiç: as i gjallë dhe as i vdekur. Sa mbarojnë”punë”, lidhin pantollet dhe pasi lëshojnë nga një”T’u baj mirë”, bëhen gati me vazhdu rrugë. Kur tak si në hije, shfaqet me dy kobure në dorë, veshur tebdil, Isufi. Dhe, ndërsa afrohet drejt tyre, u thotë: -Jam Isufi I Lutfisë, more? Çfarë bëtë dhe thatë? Serbët, sa dëgjuan emrin, i zuri e zeza, ranë në gjunjë dhe i thanë: -Aman, na falë. -Çfarë thatë? _gjëmoi duke u afruar dhe më! U detyruan të tregojnë dhe Isufi: -Kthehuni dhe hajeni atë që keni ba! Ata: -Aman! -Hajeni se ju vrava! -gjëmoi frikshëm, aj.
Dhe u ulën, secli pjesën e vetë, kurse Isufi koburet rranx veshit. Mirëpo kishin dhjerë bajagi(mjaft) dhe s’mbarohej. Aty, si mbillet zakonisht për sevap në vorre, kish mbjellë do qep e hudra, dhe njani po i lutet Isufit: -A e marr një qepë? Dhe, kështu, me qepë e hudra e mbaruan atë që ban. E, kështu, lum Baca, njerëz si ai RRahmna Morina nuk hahen as me qepë dhe as me hudra. Po ka me dal, opet, (përsëri) ndonji Isuf apo shumë Isufa. Po jan shtu, more jaran, edhe këta që”s’hahem me qep e hudra”. Dhe qeshi. Ani, ani, -e mbylli tregimin, – ti ke me epa vetë, se je i ri se Kosova do ikë prej sërbit. Vane vath në vesh prej meje. E unë atëherë s’kam me kan, po ani, ta gëzojnë të rinjtë. Tek u mata që t’i thosha ndonjë fjalë inkurajuese, ma preu: -E i vetë i madhi Zot, por e shoh s’do e arrij dot. Por ta gëzoni bre dhe ti, si e këndue që je, thuje edhe nji fjalë për mue. I premtova duke u larguar dhe, siç e shihni, këtë po eshkruaj në kujtim të tij. Se, sado që e lashë gjallë(po shkonte 90-vjeç) , mora vesh që ka vdekur.

Ah, -them, -sikur të ishte gjallë edhe tani dhe të shihte me sytë etij se si do vejë puna e Kosovës. Që ta shihte se”Isufat” i “mundën ata që “s’hahen as me qep dhe as me hudra”dhe, veç tjerash, të shikonte se si”imperialistët amerikanë” kanë dhënë dhe po japin kontributin më të çmuar për pavarësinë e Kosovës. Sa do të gëzohej! Paqe mbi varrin e bacë Hasan Makës! Amen! . . .

Përparim Hysi, korrik2002-maj 2007